Ai ishte një nga banorët më të komentuar të edicionit të parë të “Big Brother VIP Albania”. E kemi fjalën për Donald Veshaj, i cili shkoi fare pranë finales në këtë garë. Një artist me shumë dimensione, të cilin e kemi parë si piktor, aktor dhe këngëtar.

Tashmë ai vjen për herë të parë në klasifikimin e “The Top List”, Top Awards me këngën e tij të parë solo, “Nuk je”. Le të njihemi pak më detajisht me biografinë e Donaldit, artistit më të ri që i bashkohet faqes sonë.

Donald Veshaj lindi më 1 shtator të vitit 1995. Në vitin 2015 ai iu bashkua vëllait të tij binjak, Romeos në emisionin e humorit “Al Pazar”. Në vitin 2019 Donaldi bashkë me Romeon dhe prezantuesen Bora Zemani filluan emisionin e tyre “3shat”.

Donaldi së bashku me vëllain e tij binjak, Romeon, janë dy personazhe shumë simpatik për publikun, të cilët kanë arritur shumë sukses.  Në vitin 2017, dyshja publikon videoklipin “Ne Te Sms”. Në vitin 2021 Romeo dhe Donald publikojnë videoklipin “Margarita”. Teksti i këngës u shkrua nga Donald Veshaj, Getinjo, Romeo Veshaj dhe Alban Kondi, ndërsa orkestrimi u punua nga Alban Kondi dhe Fabian Basha.

Më datë 12 Tetor 2021, Elgit Doda publikon videoklipin “TL (Toxic Love)”, në bashkëpunim me Donald Veshaj. Teksti i këngës u shkrua nga Elgit Doda, Alban Kondi, Donald Veshaj & Romeo Veshaj. Më datë 19 Mars 2022, Donaldi publikon videoklipin “Nuk Je”. Teksti i këngës u shkrua nga vetë ai.