Artisti i njohur Majk, ka prezantuar së fundmi projektin e ri muzikor. “Lamtumirë” mban titullin kënga, të cilën e ka kompletuar edhe nga ana vizuale.
Projekti i ri i Majk e ka risjellë atë sërish në klasifikimin e javës të “The Top List” pas disa muajsh. “Lamtumirë” vjen pas bashkëpunimit të Majk me Capital T dhe Ledri Vulën, “Yjet dalin natën”.
Kënga e fundit e tij në “The Top List” ka qenë “E pashpirt”, publikuar gati një vit më parë. Mesa duket, stina e dimrit qenka e preferuara e Majk për të sjellë projekte të reja muzikore.
Qofshin balada, apo këngë pak më ritmike, ky sezon e gjen atë mjaft të frymëzuar. Vetëm dy muaj më parë ai solli projektin “Viking”, që në klip të sillte ndër mend serialin e njohur “Game of Thrones”.
Edhe tek ky projekt i ri, “Lamtumirë”, Majk nuk ndryshon dhe aq shumë këtë stil. Sërish në video një vend kryesor zë dhe dimri i acartë, bora dhe malet në sfond.
Meqë ra fjala, kjo nuk është kënga e fundit e Majk për këtë vit, pasi ai ka ardhur edhe në një bashkëpunim me Donna Dafi. “Lamtumirë” e rendit atë në vend të 13-të për këtë javë.