“Ayo” është projekti më i fundit muzikor i Dhurata Dorës në bashkëpunim me Dj Geek. Edhe pse ka më shumë se 3 javë që ka dalë në treg, kjo këngë menjëherë është shndërruar në një nga këngët më të pëlqyera për publikun shqiptar.
Prej 3 javësh “Ayo” është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, ku nga javë në javë është vënë re një përmirësim sa i përket renditjes. Vetëm gjatë kësaj jave, ky projekt muzikor është ngjitur me 10 pozicione, duke u renditur në vendin e 13-të.
Me muzikë të Alandy dhe tekst të Gent Fatalit, kjo këngë ka rrëmbyer zemrat e fansave, të cilët nuk ngurrojnë ta votojnë artisten në topawards.top-channel.tv
Përveçse me “Ayo”, Dhurata Dora është pjesë e Top Listës edhe me dy këngë të tjera. “Vec Ty” ka rreth 4 javë që është futur në klasifikim dhe për këtë javë renditet në vendin e 33-të ndërsa bashkëpunimi i saj me Capital T ka 28 javë që është në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, ku për këtë jave renditet në vendin e 35-të.