Yll Limani ka ardhur edhe këtë verë me një tjetër baladë, e cila sikurse edhe projektet e mëparëshme, ka një tekst tepër ndjerë dhe duket sikur ai po vuan.
Po çfarë nuk po kalon për Yll Limanin?
Pavarësisht se është një ndër artistët që nuk është folur asnjëherë për jetën e tij private, diçka po e mundon Yll Limanin dhe bëhet fjalë per dikë që Ylli e ka në zemër por ajo dashka dikë tjetër, të paktën kështu thotë teksti i këngës.
Për këtë projekt muzikor, Ylli ka punuar me disa prej emrave më të njohur në muzikën shqiptare. Prodhuar nga Darko Dimitrov, “Nuk po kalojka” mban tekstin e punuar me shumë kujdes nga Aida Baraku ndërsa për muzikën është kujdesur Armend Rexhepagiqi.
“Faleminderit për këtë këngë të shpirtit“, shkruan në një postim të bërë në rrjetin social “Instagram” Ylli, i cili ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij.
Sugjerimet e publikut kanë bërë që kjo këngë të futet në “The Top List” që në javën e parë të publikimit por ajo cfarë vihet re është suksesi i kësaj këngë që në javën e parë, duke zënë vendin e tretë në listën e cila përbëhet nga 100 këngë. “Nuk po kalojka” është hyrja e re e renditur më mirë në “The Top List” për këtë javë.
Pavarësisht se diçka “nuk po kalojka” për Yll Limanin, ai ka premtuar se kjo këngë është vetëm fillimi për këtë verë, duke lënë kështu të nënkuptohet se shumë këngë të tjera do publikohen pas kësaj. Shpresojmë që me prurjet e tjera muzikore, Limani të jetë më shumë ritmik dhe më pak dramatik.
Kujtojmë që Yll Limani ishte një ndër artistët që performoi në koncertin madhështor të Digitalb, i organizuar më 15 korrik në sheshin Skënderbej, duke kënaqur fansat e tij, të cilët po prisnin me padurim performancën e artistit.