Ajo surprizoi të gjithë fansat me videon e publikuar në kanalin e saj në “Youtube”, ku erdhi më sensacionale se kurrë, duke prezantuar identitetin e saj.
“Për mua muzika është gjuha universale e njerëzimit… Unë nuk u bëra këngëtare thjesht për t’u argëtuar, doja të komunikoja… Muzika ime është pasqyrimi i asaj që unë jam, pasqyrimi i jetës sime në të voglën dhe të bukurën Shqipëri. Identiteti është ajo çfarë ka më shumë rëndësi për mua, jo vetëm gjuha apo skena ku unë zgjedh të këndoj… Emri im është Elvana”, këto janë fjalët që këngëtarja shqiptare ka thënë në një video të postuar në kanalin e saj në “VEVO”.
Po çfarë kërkon Elvana?
Fjalët e kësaj videoje, të cilat qarkulluan kudo në mediat shqiptare, dukeshin qartë që ishin një prezantim i këngëtares shqiptare në industrinë botërore të muzikës. Artisja e disa hiteve muzikore ka zgjedhur producentin amerikan Poo Bear, për të prezantuar projektin e saj të parë në tregun botëror.
Këngëtarja pritet të publikojë sot projektin e saj të parë me përmasa gjigante, në bashkëpunim me producentin e famshëm, i cili ka punuar me emra të rëndësishëm të muzikës në botë si Justin Bieber, Usher, Chris Brown, Kelly Rowland etj.
“Forever Is Over”, ky do të jetë titulli i këngës më të re të artistes, e cili pritet të dalë sot. Duket se Elvana ka preferuar të mos japë detaje lidhur me orën e saktë të publikimit, duke lënë fansat në pritje por pavarësisht kësaj, një gjë është e sigurt: Elvana nuk di të zhgënjejë!