Padyshim që klasifikimi i 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards ka një sërë artistësh të talentuar dhe shumë të dashur për publikun. Ka nga ata këngëtarë që kohët e fundit janë shumë aktivë duke sjellë projekte të reja dhe duke qenë gjithmonë në vëmendjen e publikut. Ka dhe nga ata që kanë shumë projekte njëkohësisht në listë…

Capital T vjen me plot nëntë këngë në klasifikim. Sigurisht që albumi i ri i Kapos, “Heart Broken Kids” rezultoi të ishte shumë i suksesshëm dhe i pëlqyer nga publiku. Përveç tre hyrjeve të reja nga ky album për këtë javë, siç ishin “Rrafsh”, “Designer” dhe “No fake friends”, Kapo ka dhe projekte të tjera në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare. Bëhet fjalë për “Për ty”, “Dy zemra”, bashkëpunimi me Elvana Gjatën “Flakë”, “Nashta”, Heku qafe” me Mc Kresha dhe “Përjetësisht”. “Rrafsh” qëndron më lart në vend të pestë.

Yll Limani gjithashtu ishte mjaft i pëlqyeshëm me albumin e tij “Lshoja zanin”, ku të pesta këngët e tij u votuan menjëherë për të hyrë në listën e Top Awards. “Lshoja zanin” është sërish kënga më e pëlqyer e javës duke u renditur në vend të parë të klasifikimit. Këngët e tij të tjera me të cilat ai konkurron janë “Qaj”, “Vonë”, “E di” me Elvana Gjatën, “Fjalë”, “Çka nëse” dhe “Gënjeshtare”.

Alban Skënderaj po rezulton ‘on top’ me “Spektatore”. Ky projekt në veçanti i artistit, deri më tani mund të themi se është më i pëlqyeri nga publiku. Thënë kjo, këtë mund ta kuptojmë fare mirë dhe nga pozicionimi i tij në listë. “Spektatore” renditet sërish në vend të dytë për këtë javë. Ky projekt ka arritur që ta vendosi Albanin edhe në vend të parë pas shumë muajsh. Këngë të tjera momentalisht nga artisti në listë janë “Zemër përmbi zemër” me Miriam Canin, “Parajsa ime 2” me Elgit Dodën dhe “Zjarr në shpirt”.