Javën e kaluar, “Bonbon” e Era Istrefit shënoi plot 81 javë në klasifikimin zyrtar të “Top Awards” por kjo javë ka rezultuar fatale për këtë projekt muzikor, i cili ka mbetur jashtë Top Listës.

Në fakt, kjo është hera e dytë që kjo këngë largohet nga klasifikimi. Po të kthehemi pas në kohë, do të kujtojmë që kjo këngë ka dalë nga lista në javën e 73-të, por bëri një rikthim të bujshëm në javën e 142-të, duke u renditur menjëherë në vendin e 31-të.

“Bonbon” mund të konsiderohet pa frikë kënga më e suksesshme e Era Istrefit, e cila i hapi dyert për karrierën ndërkombëtare. Ndërkohë që karriera e saj po ecën mjaft mirë, shumë fansa shkruajnë nëpër rrjetet sociale se Era Istrefi e ka humbur stilin e veçantë që e karakterizonte, duke u bërë si të gjitha artistet e tjera. Shumë fansa fajsojnë se shkaku i ndryshimit të Erës është keqmenaxhimi. Kujtojmë se Istrefi është nën menaxhimin e “Sony Music” që prej vitit 2016-të.

Pavarësisht se i ka mbijetuar konkurrencës derimë tani, duket se “Bonbon nuk bon mo” pasi publiku e ka lënë jashtë listës por nëse do të rikthehet më, kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.