Elgit Doda dhe Alban Skënderaj kishin treguar prej kohësh se do të sillnin një projekt të ri muzikor së bashku. Duke parë suksesin e “Parajsa ime” të publikuar në verën e vitit të kaluar, dy këngëtarët vendosën të sillnin “Parajsa ime 2”. Me ritme verore, ashtu siç pritej dhe një klip në bregun e detit, kënga ngjason me ritmet latine shumë të përshtatshme për këtë sezon vere.

Në të njëjtën kohë, artistët e mirënjohur Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni, lançuan këngën e tyre më të re “Nina”. Klipi u publikua më 19 Qershor dhe duket se u prit mirë nga publiku, si një këngë verore.

Le të ndalemi pak tek këto dy këngë që duket se do të na ndjekin gjatë muajve të verës.

Videoklipi i këngës “Nina” i treshes gati-gati të pandashme, Bruno-Flori-Klajdi, xhirohet në bregdetin e mrekullueshëm të jugut të Shqipërisë. Këngëtarët rrethohen nga balerina, të veshura me rroba banjo ngjyrë të bardhë dhe kombinohen së bashku duke kërcyer.

Ajo që vihet re më së shumti në këtë videoklip është kërcimi që duket se është bërë viral dhe në rrjetin “TikTok”. Në disa sekuenca vihen re dhe jahtet lukzoze që lundrojnë me shpejtësi në detin e kaltër të Jonit. “Nina” është një hyrje e re dhe menjëherë ja ka dalë të renditet në vend të tretë të klasifikimit.

Për sa i përket “Parajsa Ime 2”, dhe kjo këngë ja ka dalë që të renditet në vend të katërt, një vend më poshtë se “Nina”. Nëse kalojmë pak nga kjo këngë, do të vëmë re që të dy videoklipet kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Edhe kjo këngë xhirohet po ashtu në bregdet. Gjithashtu kanë dhe një të përbashkët, kërcimin viral. Në ndryshim nga “Nina”, në këtë videoklip kemi një grup fëmijësh që kërcejnë dhe jo balerina. “Parajsa Ime” i bën thirrje dashurisë pa pasur pasurinë.

Nëse tek “Nina” kishim në sfond luksin, makinat e shtrenjta, jahtet, plazhet e shtrenjta, sepse siç e thotë edhe teksti i këngës “jeta jonë si në filma”, tek “Parajsa Ime”, dy këngëtarët i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së thjeshtë pa luks, pa ora të shtrenjta, makina të modeleve të fundit, apo gjërave materialiste, sepse “nuk kemi pasuri por kemi klas”.

Të dyja projektet janë pëlqyer shumë nga publiku shqiptar, duke marrë parasysh renditjen e tyre në 100 këngët më të mira në “Top Awards”.

Si përfundim, tek të dyja këto këngë cilido mund të gjejë veten këtë verë, ata që duan jetën e luksit, apo edhe ata që mjaftohen me gjërat e thjeshta të jetës. Një gjë është e sigurtë, të dyja projektet do të na ndjekin gjatë pushimeve të verës teksa relaksohemi nën rrezet e diellit.