Java e 216-të e klasifikimit zyrtar të “Top Awards” ka ardhur mjaft e qetë. Sa i përket zonës së nxehtë të listës, ajo ka pësuar një ndryshim të vogël.

Vendi i parë edhe kësaj jave i përket Ylli Limanit dhe këngës së tij më të fundit të titulluar “Engjej”. Fansat e artistit, të cilët duhet thënë më bindje që janë të shumtë në numër, kanë bërë të pamundurën që ta shpallin edhe këtë javë “Engjell”, këngën më të dëgjuar dhe votuar të javës.

Kapoja nuk është mposhtur as këtë javë, ai vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë me “600PS”. Edhe pse kjo është java e tretë që kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, publiku po bën të pamundurën ta rendisë sa më në majë këtë projekt muzikor.

“M’ke rrejt” e Butrint Imerit, e cila ka qëndruar për tre javë rresht në vendin e parë, kjo jave e rendit në vendin e tretë. Pas një mungese në tregun muzikor, Butrinti ka sjellë këngën që vazhdon të jetë tepër e preferuar për publikun shqiptar, ndërkohë që ka 7 javë në klasifikim.

Sa i përket projekteve të reja që i janë shtuar klasifikimit të “Top Awards”, janë vetëm dy të tilla, duke lënë kështu të nënkuptohet se artistët po shijojnë një periudhë qetësie, ashtu sikurse vetë muaji janar është në përgjithësi, pas ngarkesës së madhe gjatë sezonit të festave.

Në listë është rikthyer Enca, pas shumë kohësh mungesë por gjithashtu edhe Kanita, e cila gjithashtu i ka munguar klasifikimit për një kohë të gjatë.