Kastriot Tusha lindi në Elbasan, më 14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto, me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Gjatë periudhës 1999-2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve dhe që nga viti 2006 e në vazhdim është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Përveç aktivitetit pedagogjik, ku i është dhënë titulli “Profesor i asociuar”, aktiviteti artistik i tij ka qenë shumë i ngjeshur dhe i larmishëm. Ai ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë në të gjitha skenat e vendit, duke përballuar me sukses një repertor të gjerë nga paraklasikët deri te bashkëkohorët. Disa prej roleve të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Bepe te “Pagliaci”, Kola te “Paja”, Nadiri te “Peshkatarët e perlave”, Alfredo te “Traviata”, Doda te “Mrika”, Ruizi te “Trovatore”, Duka te “Rigoleto” etj. Ka realizuar mbi 100 koncerte vokale-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Është themelues i koncerteve të “Tre tenorëve” në Shqipëri dhe vazhdon t’i përballojë me sukses dhe përgjegjësi këto koncerte. Është lëvrues i suksesshëm i gjinisë së romancës, ku ka dhënë një kontribut të vyer në interpretimin dhe realizimin me sukses të shumë këngëve popullore, të cilat janë formate të mrekullueshme dhe që ndiqen nga këngëtarët e rinj. Kastrioti ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh brenda dhe jashtë vendit, si: në Itali, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Në vitin 2010 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Akademia e Çmimeve “Kult”, në vitin 2013 e nderon me çmimin “Këngëtari lirik i vitit” me “Romanca shqiptare”. Kastriot Tusha është një nga zërat më të bukur, më të veçantë dhe të papërsëritshëm të muzikës shqiptare, duke gëzuar vlerësim dhe respekt maksimal nga publiku i gjerë.
Kastriot Tusha
NEWS
Kastriot Tusha, një nga zërat më të dashur të skenës shqiptare vjen në klasifikim me “I dehur nga dashuria”!
Tenori i njohur shqiptar Kastriot Tusha vjen para publikut të Top Awards me projektin e tij muzikor, “I Verbër nga Dashuria”, një këngë që vjen e mbushur me emocion, ndjenjë dhe interpretimin karakteristik që e ka shndërruar artistin në një nga zërat më të vlerësuar të muzikës shqiptare. “I Verbër nga Dashuria” sjell një atmosferë romantike dhe melankolike, duke ndërthurur elementët e muzikës moderne me interpretimin e fuqishëm vokal të Tushës. Projekti është pritur mjaft mirë nga publiku dhe dashamirësit e muzikës shqiptare, të cilët prej vitesh e ndjekin artistin për stilin e tij elegant dhe interpretimet plot shpirt. Interpretimi...