Tenori i njohur Kastriot Tusha ka ardhur me projektin e tij “I dehur nga dashuria”, një këngë që të prek dhe të fut menjëherë në një gjendje emocionale të thellë. Projekti është bërë pjesë e “The Top List” dhe është përqafuar menjëherë nga publiku. Por si është krijuar kënga dhe disa detaje më tepër, vetë Kastrioti i ka rrëfyer në studion e “Wake Up”…

Është një këngë që është bërë këto kohët e fundit dhe është një krijim midis miqve. Teksti dhe muzika nga Arsim Bunjaku dhe incizuar në një studio shumë interesante, ata janë djem që këndojnë në Filarmoninë e Prishtinës dhe bëjnë hite në bashkëpunim me Arsimin. Arsimi është emër i njohur, ka bërë shumë hite për shumë artistë të trevave shqiptare dhe kohët e fundit kam filluar të bashkëpunoj sepse më ka pëlqyer, ka një muzikalitet dhe më ka shtyrë në një frymë ndryshe. Nuk jam ai tenori, edhe tek kjo këngë. Më kanë komplimentuar vërtet shumë. Është fabul urbane.

Kastriot Tusha rrëfeu edhe mbi projektin me të cilin është duke punuar momentalisht?

Jemi në mbarim të një projekti, po bëjmë një këngë për gjenocidin, po mbështetet nga veteranët e UÇK. Pothuajse në të gjithë Ballkanin, apo në të gjithë botën, ku ka patur gjenocid, kanë bërë një këngë, një material përkujtimor, si homazh. Jemi drejt përfundimit.

Si të duket mënyra që po i këndohet dashurisë sot?

Unë jam rritur në Elbasan dhe mbizotërojnë këngët e dashurisë. Shqipëria e Mesme i ka kënduar lules, i ka kënduar të dashurës, me metafora… Që vërtet i këndohej lules, por dihej që ishte për të dashurën. Unë jam edukuar me atë lloj muzike dhe kohët e fundit me projektet që kam pasur kam filluar të zbutem pak.