Artistja Luar Arani ka publikuar së fundmi projhektin e saj më të ri të titulluar “Ami” në bashkëpunim me Mixey. “Ami” është publikuar me 1 prill dhe tashmë prej një jave është pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Për të na folur më shumë lidhur me këtë projekt, Luar ishte në një lidhje me Skype mëngjesin e sotëm për “Wake Up”.
Si lindi bashkëpunimi me producentin Mixey, prej sa kohësh ke punuar për të dhe pse ky titull?
“Ami” të ngel më shumë në mendje. Kosovarët e kanë këtë fjalë për të thënë ‘ma jep’. Pastaj është edhe një lojë fjalësh pasi në frengjisht do të thotë ‘mik’. Pra, ‘mik, më jep lotët e mia mbrapsht’.
Një këngë që flet për tradhtinë dhe që ka prekur shumë njerëz. Lidhet me një histori personale?
Të jem e sinqertë kjo është hera e parë që nuk e kam kompozuar apo ta kem shkruar vetë. Këtë herë është në dorë të Mixey, nuk e di nëse e ka përjetuar në kurriz të vet ai (qesh). Kam parë impaktin tek njerëzit dhe e kuptoj se paska shumë raste të tilla dhe më vjen keq.
Një tematikë që ti s’e ke trajtuar më parë në këngët e tua, por a ka ndodhur që je ndjerë e tradhtuar nuk po flasim vetëm në një marrëdhënie çift por dhe në shoqëri?
Unë e kam përjetuar tek një shoqja ime shumë e mirë dhe e kam falur. Sepse tradhtia nuk është vetëm në çift. Por ma bëri prapë.
Kush është djali protagonist në klip i cili ka duruar “nervat” e tua të “tradhëtisë”?
Sa vajza më kanë pyetur… Arbër Kadria dhe është spiker lajmesh në Kosovë. E kishte shumë qejf muzikën gjithmonë dhe kur u kontaktua pranoi. Sigurisht paraprakisht dëgjoi dhe këngën dhe e pëlqeu shumë.
E keni publikuar me 1 prill si këngë. Ka një domethënie?
1 Prilli është dita e gënjeshtrave dhe unë mendoja se do të ishte tamam për tradhtarët. Nuk doja ta nxirrja në shkurt për festën e të dashuruarve këtë projekt për tradhtinë.
Luar ke zgjedhur së fundmi të vish me bashkëpunime. Përse?
Kishte qenë si ide që të ishte solo. Por Mixey-t i pëlqeu, e përpunoi më shumë dhe u bë Luar dhe Mixey. Unë jam shumë e gëzuar për këtë.
Deri më tani ke realizuar disa materiale muzikore. Ke menduar të sjellësh një album?
Më shume se sa album po përgatitem për një “EP”. Më të shkurtër, më të përmbledhur dhe mezi po e pres. Po të mbledh të gjithë single-t e mi bëhet një album, por do të doja material të reja.
Ke diçka tjetër ndër duar që do e publikosh së shpejti?
Këtë herë nuk do pres kaq gjatë. Po marr pak kohë për të pushuar momentalisht.
“Ami”, bashkëpunimi i Luar dhe Mixey, renditet në vend të 100-të në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards.