I ftuar ditën e sotme në programin e mëngjesit “Wake Up” ishte këngëtari 23-vjeçar David Dreshaj, i cili njihet për projektet e ndryshme muzikore, duke nisur karrierën e tij që nga viti 2016. Ai sapo ka publikur albumin e tij të parë që përmban këngë Krishtlindjesh, për të cilin është ndalur duke zbuluar më shumë detaje.
I pyetur për albumin e tij më të ri, artisti u shpreh:
Dy vitet e fundit kanë qenë shumë intensive dhe kam prodhuar shumë. I kam kuruar në detaj projektet, duke i sjellë me videoklipe, me çdo detaj të mundshëm.
David është gjithashtu pjesë e “The Top List”, i cili me këngën “Si këmbanë” renditet në vendin e dhjetë. Si ndihet ai për këtë?
Ndihem shumë mirë. Nuk është hera e parë që jam pjesë e “The Top List”, por është një gjë shumë e madhe për mua. E vlerësoj shumë.
Për ato që nuk e dinë përmbajtjen e albumit të tij, “The Christmas EP”, ai u shpreh:
Që në moshë të re kam patur një ide që të krijoj një gjë të tillë. Më së pari të kem një album timin, personal. Pastaj kur e di sesa i kam dashur dhe se si jam rritur me këngët festive, thashë pse mos t’i koleksionoj. Janë këngë që shuhen pas datës 31 dhjetor, por dua t’i kem si trofe dhe të llogariten si pjesë e repertorit tim artistik.
Koncerti i tij do të mbahet më datë 19 dhjetor në Bosnje Hercegovinë. Pse vjen kjo zgjedhje?
Këtu janë zhiruar videoklipet e 7 projekteve dhe thashë pse mos të prezantohen këngët në të njëjtin vend dhe të promovohen duke qenë se kam marrë ftesë për intervista.
I pyetur sesi publiku ka reaguar dhe nëse i kanë pëlqyer, artisti shprehet:
Janë pëlqyer. Më së shumti është pëlqyer ajo në gjuhën shqipe “Si këmbanë”, që më ka gëzuar si fakt për arsye se unë synoj që të rritem tek origjinaliteti dhe tek këngët origjinale. Kështu që janë pritur më mirë seç kam menduar.
Kryesisht artisti i këndon dashurisë duke ngjasuar pak me këngëtarin Ylli Limani dhe ka shpjeguar:
Njerëzit më kanë thënë se të shkon për të kënduar ‘alla Ylli Limani’, ‘alla Irkenc Hyka’, që janë dy super artistë. Ama do preferoja një bashkëpunim me Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj.