Këngëtari dhe kompozitori i njohur Alban Skenderaj, ka publikuar këngën e tij më të re, “Armëpushim”, e cila ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut për mesazhin e fortë që përcjell. Kënga, e cila është një baladë e qetë dhe emocionale, trajton tema të thella lidhur me luftën, ndarjen dhe dëshirën për t’i dhënë fund përplasjes dhe konfliktit.
Me një tekst të pasur dhe melodi të ndjeshme, “Armëpushim” sjell një thirrje për reflektim dhe harmonizim, duke i bërë jehonë mesazhit se paqja është një nevojë e domosdoshme për njerëzimin. Albani vjen me nota shumë të ndjera, duke e shndërruar këngën në një himn të shpresës për një të ardhme më të qetë dhe më të bashkuar.
“Me këtë këngë, synova të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që përjetojnë dhimbje dhe luftë, qofshin ato fizike apo emocionale. “Armëpushim” është thirrja për të hequr armët, për të ndaluar përplasjet dhe për të zgjedhur rrugën e pajtimit dhe dashurisë,” tha Alban Skenderaj lidhur me këngën e tij të re.
Alban Skenderaj sapo na konfirmoi dhe njëherë talentin e tij të rrallë dhe që nuk ngurron kurrë të përcjellë mesazhe të forta me krijimet e tij. “Armëpushim” pozicionohet në vend të tretë në listë për këtë javë.