Alban Skënderaj bashkoi forcat me Lyrical Son për të sjellë një këngë premtuese dhe që patjetër që do të kthehet në hit. Dyshja e talentuar e artistëve kanë publikuar së fundmi “Ndalma” që është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”.

Menjëherë pas publikimit të këtij projekti, reagimet e fansave të dyshes kanë qenë të shumta dhe sigurisht shumë pozitive. Një bashkëpunim që erdhi surprizë por që nuk zhgënjeu aspak.

E fundja si mund të ndodhte kjo kur kemi të bëjmë me dy super artistë si Albani dhe Lyrical Son. “Ndalma” pati një sukses të menjëhershëm duke u votuar për të hyrë në “The Top List”, madje jo vetëm kaq, por kënga e tyre arriti të pozicionohej menjëherë në vend të dytë të listës.

Pas bashkëpunimit të tyre të parë në projektin “’93” me Dj Oltin, tashmë falë Albanit dhe Lyrical Son kemi një tjetër hit ndër duar që mban firmën e tyre. Sipas parashikimeve tona, zor se “Ndalma” mund të pozicionohet më poshtë se “Top 5” edhe në vazhdim.