Një tjetër javë e suksesshme për bashkëpunimin e Kidës dhe Ermal Fejzullahut, “Tela”. Kjo është java e tretë që “Tela” shpallet kënga më e preferuar e javës për publikun shqiptar, duke marrrë votat maksimale.

Që në javën e dytë të futjes në listë, kjo këngë arriti të rrëmbente vendin e parë por katër javët në vijim nuk patën të njëjtin sukses, duke lënë kreun por që sërish qëndronte në zonën e nxehtë të klasifikimit. Duket se fansat nuk e kanë lënë me kaq, ata e kanë rikthyer “Tela” në vendin e parë, duke e mbajtur për dy javë rresht.

Në zonën e nxehtë kemi një hyrje të re këtë javë dhe është pikërisht Butrint Imeri me këngën “Hajt Hajt”, e cila edhe pse ka 8 javë në klasifikim, këtë javë ia ka dalë të renditet në vendin e dytë, duke u ngjitur me tre pozicione nga java e kaluar.

Në vendin e tretë renditet bashkëpunimi i Elvana Gajtës dhe Capital T, “Fustani”, duke humbur një pozicion nga java e kaluar.

Sa i përket hyrjeve të reja muzikore në “The Top List”, vetëm dy projekte kanë mundur të marrin votat e mjaftueshme për t’u futur në listë dhe bëhet fjalë për Vlashent Satën “Me Jetu” dhe Min3 “Feliz”.