Kanë kaluar 4 muaj që nga koha kur Estto ka publikuar projektin e tij më të fundit muzikor, “Nuk kam faj”, i cili rezultoi tepër i pëlqyer nga publiku shqiptar.

Por vetëm një javë më parë, Estto ka bashkuar fuqitë me Dj Aldon, për të sjellë një këngë e cila e ka sjellë paksa ndryshe nga projektet e mëparëshme këngëtarin. “Asaj” mban titullin kjo këngë, e cila falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave, është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke zënë vendin 91-të.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Estto ka folur më shumë për këtë bashkëpunim dhe pse zgjodhi pikërisht Dj Aldon për këtë projekt të ri muzikor.

Top Awards: Si lindi ideja për një bashkëpunim me Dj Aldon?

Estto: Bashkëpunimi i kësaj kënge ndodhi spontanisht ku këtë projekt e kisha realizuar por që i mungonte vetëm një “beat” apo instrumental që kënga të kompletohej. Dj Aldos i pëlqeu si projekt dhe shprehu dëshirën që të futet në bashkëpunim dhe e realizuam së bashku.

TA: Me këtë bashkëpunim, jeni frymëzuar nga suksesi i projektit të NRG Band me Dj Aldo?

Estto: Pak a shumë po, se ajo rezultoi një këngë shumë e pëlqyer nga publiku dhe vendosa që ta bëj edhe unë një këngë të tillë mirëpo kjo është në zhaner më ndryshe se ajo.

TA: Si është pritur ky projekt muzikor nga ana e publikut?

Estto: Kënga që në momentin që ka dalë, ka filluar menjëherë të pëlqehet nga publiku dhe kam marrë shumë komente pozitive për këtë projekt, ndoshta ngaqë është edhe më ndryshe nga ajo çfarë kanë dëgjuar nga unë deri sot.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipi?

Estto: Për muzikën e këngës jam përkujdesur vetë si çdo herë po ashtu edhe tekstin e kam shkruajtur unë. Ndërsa instrumentalin e këngës e ka bërë Dj Aldo, klipin e ka realizuar Andi Dautaj, është projekti i tretë që bashkëpunoj me Andin dhe po bën një punë shumë të mirë.

TA: Do të kemi ndonjë projekt këtë verë apo ky mund të konsiderohet hiti i kësaj vere?

Estto: Këtë verë do realizoj edhe një projekt tjetër që do jetë edhe ai i fuqishëm si ky, kurse deri në fund të vitit besoj se do ketë edhe më shumë projekte.