Një ndër surprizat e klasifikimit të kësaj jave ishte Erma, e cila arriti të ngjitej me 27 pozicione nga java e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e dytë, një vend ky mjaft i rëndësishëm për një artiste të re.

“Losing Game” është debutimi i saj muzikor, i cili ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, kjo për shkak të stilit tepër të ngjashëm me Amy Winehouse, për të cilën është shprehur se është frymëzimi i saj në muzikë.

Erma, e cila është pjesë e “Bulza Entertainment”, ka treguar për “Top Awards” rreth vetes dhe projektit të saj.

TA: Na zbuloni më shumë rreth Erma, kush është ajo?

Erma: Sipas meje, Erma është një vajzë me ambicie, e cila nuk dorëzohet shpejt. Komentet e njerëzve qofshin ato pozitive ose negative nuk kanë bërë asgjë tjetër vecse kanë formuar shkallët drejt suksesit dhe kurajon për të ecur para.

TA: Sa kohë keni që jeni bërë pjesë e “Bulza Entertainment” dhe si lindi bashkëpunimi juaj?

Erma: Unë u bëra pjesë e “Bulza Entertainment” në muajin korrik dhe ideja për bashkëpunimin lindi që me mbarimin e edicionit të këtij viti të “Tirana Art Fest”. Ishte një eksperiencë që më kënaqi goxha.

TA: Keni një ngjashmëri me Amy Winehouse, a frymëzoheni nga muzika e saj?

Erma: Amy Winehouse ishte frymëzimi specifik për “Losing Game”, si për këngën ashtu edhe për videoklipin. Amy ishte një ikonë e muzikës botërore dhe pse jo të mos jetë frymëzim edhe për projektet e radhës.

TA: Cdo të thotë për ju të jeni pjesë e klasifikimit të “Top Awards”?

Erma: Duke qënë se ky është debutimi im në “Top Awards”, dua të shpreh se është dicka shumë e madhe për mua dhe ende nuk arrij dot ta besoj që një këngë e imja ndodhet në klasifikimet kombëtare të muzikës. Jam shumë falenderuese për këtë.