Endri është një ndër talentet e rinj në muzikë, i cili ka krijuar shumë fansa dhe përshkruhet si Justin Bieber shqiptar.

18-vjeçari, i cili është nën menaxhimin e shtëpisë diskografike “On Records”, ka disa ditë që ka publikuar projektin e tij më të fundit muzikor, “Qa ndodhi”, i cili është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.

Falë votave të publikut, kjo këngë është bërë këtë javë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke e renditur Endrin në vendin e 62-të.

Nga ana tjetër ky këngëtar vazhdon të jetë në listë edhe me dy projekte të tjera muzikore, të cilat vazhdojnë ende të dëgjohen dhe të pëlqehen nga publiku shqiptar.

Bashkëpunimi i tij me Rinën, “Janari”, ka rreth 10 javë që është në listë dhe për këtë javë renditet në vendin e 25-të ndërsa “Si dje”, i cili për këtë javë pozicionohet në vendin e 44-t, ka 32 javë që i ka rezistuar konkurrencës në “The Top List”.