Elina Duni, vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjisorit Spiro Duni, lindi në Tiranë në vitin 1981. Ajo ngjitet për herë të parë në skenë në moshën 5-vjeçare, këndon në Radio Televizion ashtu si dhe në Festivalet e Fëmijëve. Në vitin 1991, shpërngulet në Gjenevë, në Zvicrër, bashkë me mamanë e saj, ku studion pianon klasike dhe zbulon jazz-in. Gjatë viteve 2001-2009 ajo publikon tre albume muzikore në bashkëpunim me artistë të ndryshëm: “Live in Tirana” me Gent Rushin (2002), “Lakuriq” (2004) dhe “I kalter” (2009) me grupin Retrovizorja dhe merr pjesë në projekte filmi: “Yllka” (2001), dhe teatri
“Tre farca nga Tchehov”, “La preuve du contraire” (2003).

Mes viteve 2004 dhe 2008-tës Elina studion për kanto, kompozicion dhe pedagogji në degën Jazz të Shkollës së Lartë të Arteve në Bern, Zvicër. Gjatë kësaj kohe formon grupin Elina Duni Quartet, ku gërsheton këngët folklorike të Ballkanit dhe sidomos shqiptare me jazz-in duke krijuar kështu një tingull të ri e të veçantë që grupi percjell nëpër festivale të ndryshme në gjithë Evropën, Azinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Kuarteti publikon katër albume; “Baresha” (2008), “Lume Lume” (2010), “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015), me këto dy të fundit ajo fillon bashkëpunimin e saj 10-vjeçar me shtëpinë diskografike legjendare të jazz-it ECM. Në 2014, Elina Duni prezanton albumin e saj të parë si kantautore “Muza e zezë”. Në vitin 2017 ajo merr çmimin prestigjoz “Swiss Music Prize” në Zvicër dhe në 2018 publikon albumin e saj solo “Partir” ku luan vetë piano, kitarë dhe perkussion dhe me të cilin bën turne nëpër gjithë Evropën.

Në vitin 2020 publikon “Lost Ships” bashkë me kitaristin londinez Rob Luft, një album i dedikuar migrantëve që kanë humbur jetën në detin Mesdhe. Në 2022-shin ajo ushtron si Profesore në Universitetin e Arteve në Zürich.