Këngëtarja e njohur Vesa Luma është rikthyer më në fund në Shqipëri. Pas vitesh që ajo shkoi të jetonte në Zelandën e Re, së bashku me bashkëshortin e saj Big Basta dhe djalin Liam, tani ajo është shprehur se do të jetojë në Tiranë. Lidhur me këtë rikthim të saj, Vesa ka folur më shumë ditën e sotme e ftuar në emisionin “Live From Tirana”.
Kam blerë një biletë një-drejtimshe. Kjo nuk do të thotë se nuk do të kthehem më, ose që nuk do të shkoj në ndonjë vend tjetër, por ia kemi arritur qëllimit se pse kemi shkuar. Është udhëtim i gjatë, mbi 40 orë dhe sidomos kur je me fëmijë është një ekstra ngarkesë. Është shumë e lodhshme dhe ndoshta prandaj e kemi pasur synimin që të marrim rezidencën dhe të kthehemi prapë.
Pse vendosët që të shkonit atje në fillim?
Ishte një mundësi e mirë. Ishte një i afërm i jonë që ishte atje dhe i tha Gerit për këtë. Ne kemi qejf të eksplorojmë vende të reja dhe tani që po rritet djali është pak më e vështirë, tani po e kuptojmë. Por atëherë ishte pak më e lehtë. Kështu iku, dhe më tha ‘hajde se është shumë mirë’ dhe e provuam. Nuk e menduam shumë gjatë. Ishim në kulm të karrierës dhe morëm një vendim, që tani do të isha menduar disa herë. Prandaj them që ndonjëherë disa gjëra është më mirë t’i lësh të rrjedhin lirshëm. Kemi bërë mirë në fakt. Por nuk e heq mundësinë që nesër-pasnesër të zhvendosemi në një vend tjetër.
Si të duket ky rikthim, aty ku e ke lënë?
Ishte shumë stresuese në fakt kur sheh disa artistë të caktuar dhe thua që ky është klani që është për momentin. Çfarë do të bësh ti? Si do të rikthehesh? Mua më vjen mirë sepse artistët atë punë kanë dhe ata që kanë punuar gjithë kohës, ka qenë puna e tyre primare. Unë u riktheva në një koncert verës me shumë stres dhe me shumë emocion, sepse mendova që janë ata pastaj ne të tjerët. Por më vërtetuan krejt të kundërtën. Dinin çdo këngë, si fëmijë, si të rritur. Varet si e shohin muzikën. Dikush e sheh si një mënyrë për të bërë para, dikush e sheh në një mënyrë më shpirtërore, dikush i sheh të dyja bashkë dhe mundohet të bëjë balancën.
Çfarë të vjen në mend kur dëgjon këngët e tua të vjetra?
Më vjen në mend që ka qenë një festival që gjynah që nuk bëhet më, Top Fest. Kur e sheh sot pas shumë vitesh, duket sikur është bërë dje, me gjithë atë investim, me gjithë atë skenografi, shumë avanguard. Sa herë kalon koha ti ke një ndrojtje për të transmetuar këngët e tua. Dhe kur transmeton këngët që kanë qenë pjesë e Top Fest, ato mund t’i dëgjosh pa frikë edhe pas 20 vitesh që postohen në rrjete sociale. Ka qenë shumë hapa para kohës. Më vjen mirë që këngët e mia akoma dëgjohen nëpër club-e dhe vuajnë në makina. Mendoj që çdo artisti i duhet një kohë pushimi, se i sheh gjerat më ndryshe, më nga larg. Dhe ajo freskia zbehet nëse je gjithë kohës i angazhuar.
Ndërkohë ti ke pasur dhe një eksperiencë në “Dancing With The Stars”…
Ka qenë para më shumë se 10 vitesh. Ka qenë eksperienca ime më e mirë, aty u njoha me Gerin dhe ja ku jemi kësaj dite. Në një mënyrë a në një tjetër, kërcimi e ka këtë magji. Jam munduar të jap gjithçka, edhe pse Geri ka shkuar më gjatë se mua. Gjithmonë më ngacmon dhe më thotë ‘kam shkuar më shumë se ti’. Kam qenë në vitin 2011 dhe atëherë ka fituar Enver Petrovci. Ka qenë Çiljeta, Olta Gixhari, Shpat Kasapi…
Çfarë do të sjellë ky rikthim i yti?
Meqë nuk gjeta ndonjë ndryshim të madh, për ta pasur më të vështirë për të vazhduar, unë do të punoj më shumë. Jam në fazë përmbyllëse të EP-s sime. Kam qejf ta ndjej më afër dhe publikun. Jam në punë e sipër. Në shatator ka filluar puna intensive. Do jem po ajo Vesa. Ka dhe balada, por ka dhe këngë shumë ritmike. Nuk e kam pasur luksin të provoj diçka tjetër më të madhe. Për rikthim do jem po ajo Vesa, por në vazhdim të shohim. Dua të eksperimentoj, por do ia lëmë kohën. Do të ketë bashkëpunim me Gerin dhe do të vijë në një moment të bukur.
Ti ke ardhur dhe nga një eksperiencë në “Ethet”, ku ke qenë së bashku me Luiz Ejllin. A do ta mendoje një bashkëpunim?
Luizi ka qenë fituesi i edicionit. Kemi ruajtur marrëdhënie, edhe pse nuk jemi takuar shpesh. Mbaj mend herën e fundit që kemi qenë në festival të fundvitit bashkë. Më ka ardhur mirë për suksesin e tij, sepse një talent i tillë nuk mund të qëndronte në sirtar. Ishte formati më i duhur që të rikthehej. “Ethet” e ka pasur atë magjinë dhe i lidhte këngëtarët me njëri-tjetrin. Pse jo, jo vetëm me Luizin por me çdo këngëtar që i njoh dhe i vlerësoj.