Ronela është e vendosur të pushtojë tregun muzikor këtë verë. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, ekzaktësisht tre muajore, këngëtarja e njohur ka publikuar katër projekte muzikore, të cilët kanë rezultuar tepër të suksesshme.
Suksesi i Ronela Hajatit me “Pa dashni”
Edhe pse ka rreth tre muaj që ka dalë në treg, “Pa dashni” vazhdon të mbetet e preferuara e publikut shqiptar, i cili përmes votave të tij, ka bërë që kjo këngë jo vetëm të qëndrojë plot 13 javë por gjithashtu të pozicionohet mjaft mirë në listë. Me publikimit e këngëve të reja, duket se vëmendja është larguar paksa nga “Pa dashni” pasi këtë javë ajo renditet në vendin e 83-të.
Ronela Hajati dhe Don Phenom- “dy më mirë se një”
Ndërkohë që prej kohësh qarkullonin thashetheme për një bashkëpunim mes Ronelës dhe Don Phenom, dyshja ka surprizuar të gjithë, duke publikuar dy projekte muzikore brenda ditës. “Dilema” dhe “Cohu” janë dy këngët e publikuara nga dy artistët por vetëm njëra arriti të merrte votat e mjaftueshme për t’u futur në “The Top List” dhe është pikërisht “Cohu”, e cila për këtë javë mban vendin e 13-të.
Ronela publikon “Lage”
Ronela nuk është mjaftuar me kaq! Javën e kaluar, një nga këngëtaret më të kërkuara të momentit, ka vendosur t’i lagë të gjithë, duke gjetur zgjidhjen e duhur për këto temperatura të larta.
“Lage” mban titullin kjo prurje e re e artistes, e cila ka zënë menjëherë vendin e 6-të në listën zyrtare të “Top Awards”, e cila përbëhet nga 100 këngë.
Muzika dhe teksti i kësaj kënge, e cila i përket zhanrit muzikor RnB, është punuar nga vetë artistja ndërsa producent i këngës është Marko Polo.