Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i Top Channel Films mbajtur më datë 9 Tetor në Pallatin e Kongreseve bëri bashkë personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq.
E që nga ajo ditë, filmi më i komentuar dhe më i shumëpritur nga publiku nuk ndalet. Por përveç produktit final, kurioziteti është gjithashtu shumë i madh dhe për prapaskenat e filmit, xhirimet, momentet e vështira apo të bukura të kastit gjatë realizimit të “Në kuadër të dashurisë”, apo dhe marrëdhëniet mes tyre.
“Në Kuadër të Xhirimeve” sigurisht që zbuloi detaje, ndjenja, emocione dhe momente ekskluzive nga i gjithë kasti. Luiz Ejlli ka treguar se si e mori ftesën për të qenë aktor në këtë film:
Isha akoma me emocionet e Big Brother-it kur dola dhe më mori Ledioni, e takova. Më dha para skenarin, projektin dhe më tha: “Do jesh në film”. Unë i thashë Ledionit: “Unë në film?!” Duke qeshur i thashë ‘do bëj kolonën zanore’, ai më tha që do jesh aktor kryesor, pra protagonist. Duke mos më parë në sy sepse po shikonte letrat mbi tavolinë më tha: “Do të jesh bashkëshorti i Oltës”. Kur më tha që e kam seriozisht më tregoi skenarin dhe ishte i gjithë kasti, 90% ishte sepse akoma disa elementë nuk ishin vendosur.