Meriton Rama është një fenomen viral i dueteve me ukulele dhe videot e tij në TikTok kanë grumbulluar mbi 22 milion shikime, duke e bërë atë një nga personazhet më të komentuara të momentit. Që prej moshës 14-vjeçare, shkruan dhe kompozon këngë me ukulele dhe në piano. Deri më sot ai numëron 130 këngë të përfunduara, por së fundmi ai ka publikuar këngën e tij të parë “Tokë”. I ftuar në studion e “Wake Up”, Meritoni ka folur më shumë për këtë projekt, por dhe për hapat e tij të radhës në karrierë…
Si lindi ky koncept i të postuarit video funny me ukulele?
Koncepti ka lindur krejt rastësisht. Unë para se të postoja video të tilla, kam postuar pjesë të këngëve origjinale ose covers të këngëve shqiptare dhe të huaja. Ashtu duke bërë scroll në rrjete sociale, që na është bërë si epidemi, mua shumica e ideve më vijnë rastësisht dhe mendova po sikur të shtoj instrumentin në një video të tillë. E provova herën e parë dhe nuk pyeta askënd. E testova, doli diçka fun, por prapë ishte shumë jashtë zonës time të komfortit dhe kam hezituar shumë. Atë natë nuk kam fjetur fare, vetëm duke e menduar a ta postoj apo jo. Të nesërmen vendosa që ta postoj. Pas 2-3 orësh e pashë që më doli jashtë pritshmërive dhe fillova të marr komente nga njerëzit që nuk e prisja. Edhe natën tjetër nuk mund të flija, dy net pa gjumë për shkak të një videoje 15 sekonda. Të nesërmen kur u zgjova pashë që kishte eskaluar, mora ftesa nga televizionet brenda natës dhe m’u desh pak kohë që ta procesoja si gjë. Ne si popull kemi personazhe të ndryshme në televizion apo meme që dalin, deklarata të çuditshme dhe ka gjithmonë gjëra interesante nëpër intervista. Kështu që kjo nuk ka qenë e vështirë. Pjesa më e vështirë ka qenë tek ata që flasin shumë shpejt dhe më duhet ta ndaja që të nxirrja fjalën e saktë. Në shumicën e rasteve, duhet një klip që të përshtatet me instrument. Sepse mund të ketë shumë klipe virale por nuk kam mundur të bëj një kombinim interesant me ukulele.
Si i ke pritur komentet? Ti ke bërë dhe klipe duke përdorur komentet negative…
Kur videot morën atë viralitet që unë nuk e kam pritur, 99% e komenteve kanë qenë të mira. Por fillova të kem dhe komente goxha të rënda. Të më thotë dikush që nuk i pëlqen nuk ka problem, por fillova të kem dhe sharje, ato në fillim i përjetova shumë rëndë. Pas gjashtë muaj pas viralitetit, unë vendosa që të bëj një pauzë dhe 6 muaj deri në 1 vit, nuk postova fare për shkak të komenteve. Edhe pse kanë qenë në numër shumë të vogël, por prapë mua filluan të më ndikojnë. Pastaj pata një koment goxha të gjatë dhe mendova po sikur ta bëj këngë, se ishin bërë nja 200 komente negative. Dhe mendova që t’i marr si kompozim, ato që rimojnë t’i bashkoj që të dalë fun. E provova njëherë dhe thashë që këtu ka diçka interesante.
Si rastise me instrumentin e ukuleles?
Ukulelen e kam parë në videot amerikane kryesisht dhe më ka pëlqyer se ka tingull të ëmbël. Unë pianon e kam mësuar para ukuleles, 5-6 vite para se të merrja ukulelen vetëm në piano kam shkruar. Por erdha në një pikë që kisha nevojë të bëja diçka më ndryshe e të sfidoja veten më shumë. Bëra kërkime dhe gjeta një ukulele të lirë në Prishtinë, rreth 40 euro. Nuk e dija a mund t’ia merrja dorën dhe thashë që ta filloja me diçka të lirë. Atë ditë që e kam blerë, atë ditë shkruajta këngën e parë me ukulele, një këngë shumë e thjeshtë, e ëmbël. Pastaj me ushtrime e me prova, vazhdova me ukulele dhe pianon e lashë pak.
Ti numëron rreth 130 këngë të përfunduara, ku frymëzohesh për tekstet?
Për shumicën, rreth 95% jam frymëzuar prej jetës sime, prej ngjarjeve që më kanë ndodhur. Ka raste që jam frymëzuar prej miqve, familjes, prej njerëzve të tjerë. Ka dhe raste me ngjarje imagjinare apo me ndonjë film. Historia e shkrimit të këngëve ka filluar me poezi, se unë kur ka qenë fëmijë kam shkruar poezi. Ende e kam fletoren me poezi. Aty ka nisur gjithçka, kam shkruar poezi shumë të gjata për gjërat që atëherë kanë pasur rëndësi për mua, librat, shkolla, mami, babi, motrat. Nga fundi i shkollës fillore nisa që të kem meloditë e para në kokë. Fillova të shkruaj këngët e para por askush nuk e ka ditur, deri 19 apo 20 vjeç e kam mbajtur për vete. Kam nisur të shkruaj sepse kisha nevojë të shkruaja, jo se duhet të shkruaja. Unë kam shkruar sepse më ka ndodhur një situatë dhe ka qenë mënyra se si ta tejkaloja atë. Kur arrita 19-20 vjeç, pashë që numri i këngëve po rritej dhe nxorra një pjesë të shkurtër në Instagram, aty e kuptuan prindërit e mi që po shkruaja këngë. Kam qenë shumë person privat, i kam mbajtur për vete.
Cili është projekti i radhës?
Për momentin jam shumë i fokusuar tek projekti i parë “Tokë”. Kemi bërë një punë 3-muajshe. Këngën e kam shkruar para 6 muajve por ngaqë jam shumë detajist, prandaj kam marrë dhe më shumë kohë. Por projekte të tjera do të kem në 2-3 muajt e ardhshëm. Jam shumë entuzioast dhe mezi kam pritur që artin tim ta shpërndaj me njerëzit. Me “Tokë” kam dashur që të jetë diçka që të rrëmben, diçka më happy. Por me këngët e tjera jam shumë entuziast.