Hana Cakuli është rikthyer në muzikë pas një periudhe të gjatë pauze me këngën e saj më të re “Ndal”, duke hyrë kështu në klasifikimin e “The Top List”. Artistja ka folur më shumë për këtë rikthim por dhe për planet e ardhshme në muzikë, e ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio…

Është një gëzim shumë i madh për mua, vetëm sa jam futur aty, sepse nuk prita ndonjë arritje pas një shkëputje kaq të madhe nga muzika. Dhe thashë ta bëja një rikthim dhe të vija tek publiku, por si komentet, si futja në “The Top List”, më bënë shumë krenare dhe falenderuese për të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e votojnë. Kjo këngë e ka historinë e vet, sepse nuk është shkruar tani, është shkruar më herët. Në momentin që unë mora si demo këngën time “U shërova”, mora dhe këngën “Ndal”, por që prej asaj kohe nuk po e gjeja ta publikoja. Si duket tani ka qenë me një domethënie më të madhe, një këngë e rikthimit, thashë që mos ta shtyj më gjatë sepse është një këngë shumë e bukur. Kjo është për të “ndalur” heshtjen, pastaj vazhdojmë. Pas “Ndal” do të dëgjoni edhe një këngë tjetër.