“Mëkati jem”, kështu quhet projekti më i ri që solli në bashkëpunim Geasy, Majk dhe Xhensilën. Një bashkëpunim ky i shumëpritur, por njëkohësisht edhe shumë surprizues. Nëse do të na kishin pyetur më parë, nuk do të na e kishte marrë mendja se treshja e artistëve do të arrinin të sillnin së bashku një projekt.

Por duket se ata na kanë surprizuar mjaftueshëm. Jo vetëm kaq, por Geasy, Majk dhe Xhensila, me ‘mëkatet e tyre’ kanë thyer çdo pritshmëri dhe kanë goditur në shenjë.

Nisur nga stilet pak të ndryshme të tyre, publiku ka qenë kuriozë që në momentin kur u paralajmërua ky projekt. Edhe pse vetëm një javë si pjesë e klasifikimit, “Mëkati jem” ka arritur një pozicionim mjaft të mirë, duke u renditur në vend të 21-të në “The Top List”.

Edhe pse nuk arritën që të futen dot në “Top 20”, gjasat janë që ky projekt do të vazhdojë që të korrë sukses dhe madje të renditet më lart në klasifikim. Na mbetet të presim se çfarë do na sjellë java që vjen.