Vetëm pak ditë na ndajnë nga ndërrimi i vitit kështu që artistët vazhdojnë të punojnë fort këtë periudhë festash, duke publikuar prurje të reja muzikore që menjëherë shndërrohen në të preferuarat e publikut shqiptar.

Ndërkohë që në total ka patur 5 prurje të reja në “The Top List”, tre prej tyre janë renditur mjaft mirë, ekzaktësisht në “Top 20”.

Kënga e re që është pozicionuar më mirë në listë është publikimi më i ri Butës, “Edi Rama”, i cili është renditur menjëherë në vendin e parë. Duket se politika mbetet ende tërheqëse për publikun edhe kur sillet përmes muzikës.

Butrint Imeri i kishte munguar për disa kohë tregut muzikor shqiptar por kjo pauzë muzikore ia ka vlejtur pasi artisti është rikthyer mjaft fuqishëm me këngën “M’ke rrejt”, e cila është pozicionuar menjëherë në vendin e 14-të.

Një tjetër prurje e re muzikore që është renditur mjaft mirë në klasifikim është Dafina Zeqiri dhe kënga e saj më e re “Vuj Vuj Vuj”, e cila është pozicionuar menjëherë në vendin e 20-të.  Duket se mes këtij sezoni festash ka edhe nga ata që “preferojnë” të vujnë përmes muzikës.