Një prej zërave më të mirë të shqiptarëve është ai i Tiri Gjocit. Fituesi i “The Voice of Albania 5” ka vijuar ëndrrën e tij, për të cilën kohë më parë është shprehur se është një rrugë e gjatë që e pret në të ardhmen.
Ndërkohë që është dalluar për stilin e tij “rock” gjatë edicionit të “The Voice”, duket se Tiri ka vendosur të vijë ndryshe në projektin e tij më të ri muzikor, në të cilin ka ardhur paksa komercial, duke iu përshtatur sa më shumë kërkesave të tregut muzikor shqiptar.
Lidhur më këtë ndryshim, i ftuar në “Wake Up” në “Top Channel”, Tiri është shprehur se ka kuptuar më në fund se duhet të vinte një “Tiri i ri” edhe pse pak me vonesë.
Fillimisht kjo këngë, e cila titullohet “Zemer”, është nisur për të qënë një baladë por këngëtari ka vendosur të ndryshojë stil, duke ardhur më ritmik për shkak se jemi në prag të verës. Por Tiri ka vendosur që kjo këngë të vijë edhe në versionin akustik dhe pritet të publikohet së shpejti.
Pavarësisht se kjo këngë është shkruar dhe prodhuar nga vetë Tiri, ai është shprehur se nuk është një dedikim pasi ky projekt muzikor është prodhuar para se këngëtari të ishte i dashuruar.
I pyetur për planet e se ardhmes, Tiri ka treguar se ka plane shumë të mëdha, duke ardhur me projekte të reja, ndër të tjera dhe bashkëpunime.
Fansat e Tirit e kanë mirëpritur këtë projekt muzikor të artistit, duke e sugjeruar që ajo të futet menjëherë në “The Top List”, që në javën e parë të publikimit.