Meriton Mjekiqi ka ardhur mbrëmjen e kaluar me episodin e dytë të emisionit të tij të ri, “A je bre normal”, që transmetohet në Top Channel dhe Top Albania Radio. I ftuari i tij i radhës ka qenë Capital T, një artist shumë i talentuar, i dashur për publikun dhe me një karrierë shumë të suksesshme tanimë prej shumë vitesh…

Pse daljet e tua nëpër intervista janë kaq të rralla?

Ndonjëherë është njëfarë periudhë që kam qejf të rri larg. Por arsyeja më e madhe është që nuk kam pasur diçka madhore për të folur dhe nuk ka pasur një platformë që ka ofruar diça interesante që të më tërheqë të marrë pjesë.

Diçka që jo shumë veta mund ta dinë është që ti ke qënë futbollist dhe kapiten i një skuadre në Francë në U-14…

E gjithë familja është marrë me sport, të gjithë kanë luajtur futboll, normalisht edhe influenca e babit. Dhe unë si fëmijë kam hyrë në atë influencë dhe normal që jam fans i futbollit. Por nuk ka qenë diçka shumë e madhe, ka qenë një turne që është bërë në Francë dhe kam marrë pjesë si fëmijë.

Cila është arsyeja që kohët e fundit po qëndron në New York, albumi apo për qejf?

Kam shumë lidhje me New York. Kam lidhje sentimentale, emocionale, shoqërore, biznesore, muzikore. Më pëlqen ky vend, gjithmonë e kam ndjerë veten si në shtëpi dhe shumë gjëra më lidhin me këtë vend. Po më inspiron, po më jep dhe një privatësi që nuk e gjej atje. Ka pasur një impakt të mirë tek unë.

Diçka shumë e madhe ka qenë dhe kënga jote “Albania”, e cila u bë si një himn i dytë për kombëtaren tonë në Euro 2024. Si erdhi e gjitha kjo?

Njeriu gjatë karrierës së tij duhet të prekë tema të ndryshme. Dhe unë këtë pjesën patriotike nuk është se e kam prekur shumë edhe pse mendoj se jam shumë patriot dhe e dua shumë vendin tim dhe jam në gjendje të bëj gjithçka. Por nuk e kam prekur asnjëherë, ose shumë rrallë në muzikë. Dhe gjithmonë e kam ndjerë se duhet të bëja diçka të tillë, diçka më ndryshe, diçka më moderne, që përfaqëson rininë dhe atë mentalitet. Kam dashur të prek një target tjetër, tëpromovoj më shumë mikpritjen, bukuritë natyrore, turizmin. Për shkak të raportve të afërta kam pyetur edhe njerëz që janë të futbollit nëse i pëlqente si projekt. Pas një periudhe të caktuar që ka kaluar, më kanë njoftuar që t’ia dërgoja dhe ta dëgjonte edhe njëherë Federata Shqiptare e Futbollit. Unë ua kam dërguar dhe i është përshtatur dhe me çfarë kanë dashur ata që të bëjnë në këtë kampionat. Ka qenë gjetja e duhur. E kam parë Shqipërinë në atë formë, e kam kënduar prej zemrës time, siç e shoh. Jam i lumtur që është projekt i imi, jam i lumtur që më është dhënë mundësia. Muzika, qejfi, kënga, është gjëja më e paktë që një njeri mund të bëjë për vendin e vet.

Ke qenë shumë i komentuar për koncertin tënd “Time Capsule”, në fillim e bëre në Toranë, më pas në Prishtinë dhe e riktheve sërish në Tiranë. Pse kjo zgjedhje?

Tirana është kryeqyteti i shqiptarëve, qyteti që ka më së shumti aktivitete. Njerëzit kishin shumë kujtime të mira, kishin kaluar 4 vjet që kur e kishim bërë dhe kjo ishte arsyeja kryesore. Tiranën e konsideroj si shtëpi të dytë dhe kam pasur suport maksimal nga publiku gjatë gjithë karrierës time dhe është një pikë e rëndësishme e imja. E dua shumë dhe jam shumë i lumtur që e kam rikthyer në Tiranë dhe jam shumë i lumtur si ka shkuar gjithçka. Kur marr diçka përsipër, kam qejf që të bëj maksimumin.

Kënga “The Greatest” a ka qenë thumb për dikë të caktuar?

Ka qenë për gjithë industrinë. Edhe unë jam pjesë e kësaj industrie dhe e kam kritikuar edhe veten dhe se ku e kemi sjellë krejt muzikën. Ka një grup të caktuar artistësh që e caktojnë trendin. Thjesht në disa momente jam ndierë i dëshpëruar nga çfarë po dëgjoj, çfarë po bën krejt industria. Prej 5 apo 7 vitesh, industria jonë ka stakuar dhe po sillet në rreth veç në një vend. Industria jonë ka qenë jashtëzakonisht inovative. Nuk po flas për veten, por për gjithë artistët tanë që e kanë nisur Hip-Hop të parët në Ballkan, ndoshta të parët në Evropë dhe industri si Italia, Greqia, Gjermania janë inspiruar prej reperave tanë shqiptarë. Kemi bërë muzikë shumë kualitative, super klipe, dhe në një moment u kthye në diçka shumë ballkanike që askush nuk po bën asgjë. Shumë pak artistë po bëjnë albume. U teprua pak, kjo është shumë e lehtë për t’u bërë.

A ka ndonjë reper që të ka dëshpëruar?

Nuk më ka dëshpëruar asnjë sepse nuk kam pasur pritshmëri tek askush.

A je më i fortë se gjithë reperët?

Nëse nuk do kisha menduar se jam më i fortë se të gjithë nuk do isha fare reper, do e kisha lënë. Po normal, për mua po.