Një javë jo shumë e zakontë kjo për sa i përket hyrjeve të reja në ”The Top List”. Si për çudinë tonë të katërta projektet që janë votuar nga publiku për të qenë pjesë e klasifikimit janë nga artistë ”Big”. Ja se për kë po flasim…

Capital T vjen sërish me projekte të reja, dhe jo dosido. Tashmë e kemi mësuar që artisti di të sjellë vetëm hite. Dhe ja ku vjen me “Hera e fundit”, një projekt disi më ndryshe nga të tjerët, po që është një sukses i garantuar.

Nga ana tjetër, një projekt i ri vjen nga një tjetër artist ‘big’. Ledri Vula ka sjellë së fundmi një projekt solo pas disa muajsh. “Robot” titullohet dhurata e tij për publikun këtë dhjetor.

Teksa së fundmi Arilena Ara është angazhuar edhe në televizion, pasionin e saj më të madh, muzikën padyshim na tregon vazhdimisht se nuk mund ta lë pas. Surpriza më e fundit e artistes për ndjekësit është “Dashuria ime” dhe mund të themi se për këto ditë të ftohta dimri është shumë ‘e qëlluar’.

Don Phenom i është bashkuar trendit të fundit ku artistët sjellin këngët e vjetra në një rikrijim më modern. “Trëndafil me erë” është përzgjedhja e tij që goditi në shenjë.