I ftuar ditën e sotme në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ishte reperi i njohur Stresi. Stresi do të sjellë së shpejti albumin e tij më të ri dhe nga çfarë ka paralajmëruar do të jetë shumë surprizues.

Reperi është njohur gjithmonë me pseudonimin “Bad Boy 4 Life”, çfarë do të thotë kjo për të?

Të jesh “Bad Boy 4 Life” nuk do të thotë që je njeri i keq. Unë do them që je djalë i praptë, por tani edhe mashkullin si ‘copë mishi’ nuk ke ç’e do (qesh). Kështu që “Bad Boy 4 Life” është logoja ime prej vitesh, është e certifikuar në Shqipëri, e liçencuar. Dhe ne jemi djemtë e praptë, jo të këqinj. 

Si e gjen Stresin kjo periudhë festash për sa i përket projekteve dhe koncerteve?

Po shkon jashtëzakonisht shumë mirë. Nuk e kemi pritur kaq shumë. Koncertet i kemi jashtë më shumë. Koncerti i fundit ishte fundjavën që kaloi, tani nisemi për Itali, për Gjermani, deri në fund të vitit. Viti i Ri do të më gjejë në Gjermani, Krishtlindjet në Firence. Kam 5-6 vjet që jam larg familjes ndërrimin e viteve. Gjithmonë na bie që ta bëjmë diku tjetër, sepse jemi me punën. Prandaj po punojmë, prandaj po këndojmë që prej 13 vitesh, që të arrijmë drejt suksesit. 

Ka kaluar gati një vit që nga koha që Stresi ka qenë i ftuar në Top Albania Radio, po në muajin dhjetor. A ka ndonjë lidhje të veçantë artisti me këtë muaj?

Muaji dhjetor është muaji më i mirë i imi. Në dimër mbyllemi në studio dhe fillojmë me krijimet tona. Unë bëj të paktën dy këngë në javë. 

Së shpejti Stresi do të nxjerrë në treg mini albumin e tij më të ri. Lidhur me këtë ai ndau me ne disa detaje:

Albumi do të ketë 7-8 këngë të reja, të padëgjuara asnjëherë. Bashkëpunime do të ketë po nuk mund t’i nxjerrim kaq shpejt. Projekti më i afërt del këtë muaj, është me një reper që rri në Miami, Bala. Jam duke xhiruar klipin dhe sot që jam këtu jam pa gjumë sepse kam qenë gjithë natën në xhirime. 

Për sa i përket fotos me disa vajza në krevat, që ka publikuar duke zbuluar pak nga kënga e tij e re, Stresi shprehet:

Është një nga këngët më të mira të albumit. Sepse me këtë këngë që nxjerr tani për një javë, këtu lançohet albumi. Është shumë këngë e fortë. Mezi po pres që ta nxjerr. 

Por kur do të lançohet albumi?

Data e lançimit do të jetë në janar. Nuk e kemi vendosur sepse po bëjmë dhe cover-in e albumit. Dhe kemi rënë në hallin më të madh sepse nuk po dimë si t’i vëmë emrin. Është shumë i rëndësishëm emri i albumit, sepse duhet të përmbledhim diçka nga e kaluara, e tashmja, si erdhëm këtu… Do një emër shumë të mirë, si emri im Stresi, që është shumë i veçantë. Kështu që dhe emri i albumit duhet të jetë ‘uau’.