Soni Malaj ka performuar së fundmi në Merano, Itali dhe ka habitur publikun atje me vokalin e saj. Për këtë arsye media shtetërore italiane “Rai” i ka kushtuar një kronikë të veçantë artistes shqiptare. Soni ka qenë e ftuar në “Live From Tirana” për të folur më shumë për këtë eksperiencë dhe jo vetëm…

Ti ke performuar në një hipodrom ku zhvillohen garat me kuaj dhe të pranishëm ishin njerëz mjaft të pasur. Si erdhi kjo ofertë dhe si e prite këtë jehonë të mediave?

Më vjen mirë që portalet nuk përcjellin vetëm skandale. E prisja mbështetjen nga mediat këtu, por më ka çuditur lajmi i Rai-t. Nuk jam nga ato artiste që menaxhmenti im ua dërgon lajmin televizioneve. Mirko, ish-bashkëshorti im, ka një agjenci evenimentesh dhe aplikoi atje. Më tha: ‘Dua të bëj një eksperiment, të marr CV-n tënde, arritjet e tua, koncertet live..’ Dhe ata duke i parë, e kanë aprovuar profilin tim artistik për të performuar. I thoja Mirkos që nuk jam për në Merano, atje ishte një gjeneratë pak më e madhe dhe nuk e dija sa do ta përqafonin performancën time.

Nuk mund të këndoja balada në atë atmosferë ku njerëzit ishin të entuziasmuar dhe duke vënë baste. Vendosa të vija me disa këngë me bazë etno dhe erdha me një kolazh rreth 6 minuta e 20 sekonda. Mirko mori një nga koreografët më të mirë atje që më përshtateshin mua. Kanë hyrë në internet për të parë si kërcehet vallja tropojane, sepse unë e mbylla performancën me bashkëpunimin tim me Fatmira Breçanin dhe Gëzim Nikën. Për çudinë time në këtë këngë të fundit, u krijua një hilaritet dhe u habita. Këngën e bukur e pëlqejnë të gjithë, nuk ka nevojë ta dinë tekstin. Doli diçka shumë e bukur.

Si e prite këtë mbështetje?

Para se të dija në skenë pata një dridhje këmbësh. Janë ato sekondat para se të dalësh në skenë dhe pata dhe sikletin se mos nuk më duartorokisnin sepse jo të gjithë janë shqiptarë. Ata jo vetëm më duartrokitën, por bënë dhe foto me mua. Madje kryebashkiaku i Meranos telefonoi Mirkon dhe më ofruan të jem si mbështetëse në fushatën elektorale. Të mendosh që nuk e kisha me qejf në fillim. Por edhe sikur 3 persona të jenë, unë do dal të jap më të mirën. Mirko ishte shumë i entuziasmuar dhe kishte vite pa më parë në skenë. Pengu im i vetëm është që nuk kisha dhe vajzën aty.

Si është marrëdhënia jote me fansat, apo edhe me ndonjë koment negativ prej tyre që mund të të kenë bërë?

Artistët kanë një menaxher, një menaxhment që krijon një lloj bllokade. Ata janë më objektiv, i shikojnë gjërat pa emocione dhe janë shumë të kujdesshëm për t’ia përcjellë artistit. Unë nuk i kam lexuar kurrë komentet. Një artist nuk mund të bëjë atë që i thonë të tjerët sepse nuk mund të jetë unik. Do ta ketë gjithmonë ‘fan-bazën’ që do ta pëlqejnë për atë që është. ‘Haters’-a nuk kam pasur kurrë për shkak të profilit që kam mbajtur. Nuk kam pasur skandale.

Çfarë të pëlqen më shumë tek vetja dhe çfarë të pëlqen më pak?

Jam person shumë korrekt, me këmbë në tokë, punoj shumë. Vij nga një brez që talenti dhe puna fliste shumë dhe vetë ashtu jam ushqyer. Nuk është si sot që nëse ka baza financiare mund të blesh klikime. Për profilin që kam, që kam të dyja rrymat dhe balada dhe ritmike, më duhet të punoj shumë. Kurse diçka negative mund të them nervat. Jam pak gjaknxehtë, ndoshta geni i malësores ndikon.

Çfarë momenti të bukur të karrierës tënde mund të veçosh?

Kam pasur plot momente në karrierën time, momente qe kam fituar çmime apo kur kam pasur koncerte live. Para 2 vitesh zhvillova një koncert në Sheshin Skënderbej. Ishte live, pa pasur 20 artistë që performonin me mua. Ka qenë super. Mbaj mend që kitaristit i këputet teli i kitares kur po këndoja. Unë nuk e kutptova këtë gjë, nuk ma thanë. Unë duhet të këndoj e të kërcej kur jam në skenë, kam njerëz që të flasin në kufje dhe më mbajnë larg gjërave që mund të ndodhin. Nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur.

Po një moment demoralizues?

Nuk jam tipi që demoralizohem shumë. Por mund të përmend pjesëmarrjen e fundit në festival, që në sondazhe isha quajtur si fituesja. Por është garë, doli dikush tjetër fitues.