Me Sharr Braina jemi njohur falë projektit muzikor “KE-BO”, i cili ka qënë pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe është renditur mjaft mirë por artisti është rikthyer sërish në listë dhe kësaj radhe me një tjetër këngë që ka rrëmbyer zemrat e publikut shqiptar. Duke mos iu larguar zhanrit të tij muzikor, Sharr ka ardhur me këngën e titulluar “Bella”, e cila është futur menjëherë në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke u renditur në vendin e 34-t.

I kontaktuar nga “Top Awards”, këngëtari ka folur më shumë për këngën e tij më të re por gjithashtu edhe për këngët e reja, të cilat priten të çmendin publikun shqiptar.

Top Awards: Pse vendose të titullosh projektin e radhës “Bella”? Mendon se kjo fjalë është përdorur shumë edhe nga artistë të tjerë shqiptarë, duke u konsumuar paksa?

Sharr Braina: Për emrin e këngës “Bella” nuk është që kam insistuar në këtë emër por ka ndodhur spontanisht dhe kur fillova ta këndoj tingëllonte bukur dhe më është përshtatur me tekstin e kënges. Po, është fakt që ky emër është përdorur shumë edhe nga artistë të tjerë por vetë fakti që është përdorur shumë dhe që ende përdoret. “BELLA”, do të thotë që është e kapshme nga ana e publikut dhe fatmirësisht edhe pas publikimit të këngës time, kjo fjalë është përdorur edhe nga një këngëtar i njohur shqiptar.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Sharr: Për tekstin e këngës është përkujdesur Lum Dakaj me të cilin është hera e parë që bashkëpunoj, për muzikën “Bo Beatz” dhe “Zzapnchriss” kurse për klipin një kompani nga Gjermania me të cilët nuk është bashkëpunimi im i parë por kam bashkëpunuar edhe më heret si në këngën që kam patur suksesin më të madh që është “KE BO”, me të cilën kanë bërë një punë të shkëlqyer, si edhe në klipin e fundit. Një falenderim i veçantë shkon për Dilnas, i cili është edhe udhëheqësi i këtij grupi.

TA: Për çfarë flet kënga?

Sharr: Ngjarja e këngës zhvillohet mes dy te rinjëve, pra mes një çifti ku në këtë rast djali shpreh dashurinë ndaj vajzës që nuk dëshiron asnjë tjetër por vetëm ajo është për të.

TA: Çfarë rryme muzikore i përket ky projekt muzikor?

Sharr: Edhe me këtë këngë nuk kam dalë jasht zhanrit tim “R&B-POP” pasi në këtë zhaner kam gjetur veten. Nuk është se nuk i këndoj edhe zhanret e tjera por zhanri “R&B POP” më fle në shpirt.

TA: Si është pritur nga publiku shqiptar?

Sharr: Jam mjaft i kënaqur se si është mirëpritur nga publiku. Kam marrë komentet më pozitive edhe pse kënga sapo ka dalë. Në përgjithësi është pritur shumë mirë, deri tani jam mjaft i kënaqur.

TA: Çdo të thotë për ty të futesh sërish në “The Top List”?

Sharr: Rikthimi im prap në “The Top List“ do të thotë shumë pasi me këngën e parë që kam marr pjesë në “The Top List“ kam fituar shumë popullaritet dhe kënga është dëgjuar shumë. Më gëzon ky fakt i rikthimit në “The Top List“ pasi shpresoj që edhe me këngën “BELLA” të kem suksesin e njejtë, pse jo edhe më të madh se kënga e kaluar që kam marr pjesë në Top List, normal duke ju falenderuar edhe juve për përkrahjen që më keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe.

TA: Kjo këngë do jetë gjatë gjithë sezonit veror apo do të kemi tjetër projekt?

Sharr: Me këtë këngë vetëm sa kam filluar sezonin. Këtë vit do të ketë edhe shumë këngë të tjera, ia vlen të përmend që do të kem edhe dy bashkëpunime me artistë shumë të njohur shqiptar, njëri i përket zhanrit “hip-hop”. Ndërsa bashkëpunimin tjetër do ta kem me një artistë që i përket zhanrit “Latino-Pop” dhe besoj se do të bëjë bujë këtë verë.

TA: Një mesazh për të gjithë fansat që të kanë sugjeruar që kënga jote të futet në klasifikim?
.
Sharr: Normal që falenderimin më të madh e kam për të gjithë përkrahësit e mi që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës sime, pa të cilët nuk do isha këtu ku jam sot. Eshtë fakt që përkrahja e tyre më motivon gjithmonë e më shumë më jep shtytje të madhe në arritjen e objektivave, shpresoj që mos t’i zhgënjej asnjëherë por t’i bëj krenar me projektet e mia. Në fund një falenderim shumë i madh shkon edhe për “The Top List“, që më ka përkrahur shumë kohën e fundit. Faleminderit!

https://www.youtube.com/watch?v=adaS7i-bLwU