I lindur në qytetin e Saarbrücken të Gjermanisë nga dy prindër shqiptar, Sharr Braina është një talent ri në tregun muzikor shqiptar. Falë mbështetjes së publikut, Sharr është bërë pjesë e klasifikimit të “Top Awards” javën e kaluar me projektin muzikor “KE-BO”, i cili për këtë javë mban vendin e 54-t. Pavarësisht se pasioni i tij që në fëmijëri ka qënë muzika, Sharr ka studiuar për Menaxhment-Gastronomi, një fushë krejtësisht ndryshe nga ajo e artit.

Në një rrëfim për “Top Awards”, Sharr ka treguar se fillimisht nisi të merrej me muzikë duke kënduar nëpër evente familjare por nuk u mjaftua me kaq. Në moshën 14-vjeçare, Braina tregon se ka marrë pjesë në “DsDs Kids” në Gjermani ku u pranua por për shkak të moshës së tij rreth një muaj më i madh, ai mbeti jashtë këtij konkursi, duke pësuar një dëshpërim të madh.

“Ishte mbështetja dhe besimi i familjes, miqve dhe shoqërisë, ajo çfarë më bëri të vazhdoj më tej”, shprehet këngëtari 18-vjeçar.

Sharr tregon më tej se pati një takim më këngëtarin e njohur, Adrian Gaxha, i cili pa talentin e tij dhe e ndihmoi për projektin e tij të parë muzikor profesional “Leja”. Pas kësaj kënge,e cila rezultoi e suksesshme, Sharr vijoi bashkëpunime të tjera me artistë të njohur si Seven Saraqi dhe Arjan Lekaj.

Për projektin e tij të fundit, “KE-BO”, e publikuar më 24 Dhjetor, Sharr ka bashkëpunuar me artistët e njohur Armend Rexhepagiqin, Aida Barakun dhe Darko Dimitrov një këngë që është mirëpritur nga kritikët e muzikës.

Këngëtari shton gjithashtu se momentalisht është duke punuar për disa prurje të reja muzikore, të cilat do të publikohet gjatë vitit 2019.