Inis Neziri është bërë pjesë e “The Top List” për herë të parë falë projektit të saj muzikor “E Theve”, përmes të cilit ka rrëmbyer zemrat e të gjithëvë për shkak të talentit dhe zërit të saj potent.
Po si ia doli Inis Neziri të renditen në 5-shen e këngëve më të votuara të “The Top List”?
“E Theve” shënoi këtë javë plot 18 javë në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”, duke ia dalë të përballojë konkurrencën e hyrjeve të reja nga java në javë. Po të kthehemi pas në kohë do të kujtojmë se Inis është futur në “The Top List” që në javën e parë të publikimit të projektit të saj muzikor, duke u renditur në vendin e 100-të.
Java e dytë rezultoi tepër e suksesshme për artisten, e cila arriti të ngjitej me plotë 71 pozicione, duke rrëmbyer vendin e 29-të, falë votave nga ana e publikut shqiptar. Ndërkohë që mundi ta ruante këtë sukses për dy javë rresht, dy javët në vijim nuk ishin aq me fat për “E theve”, e cila u la pak pas dore nga fansat e Inisit, duke humbur shumë pozicione dhe duke arritur vendin e 90-të.
Pavarësisht kësaj, në javët e tjera, Inis filloi ta merrte sërish veten pasi fansat “u zgjuan” dhe nisën të votonin artisten e tyre të preferuar, duke e çuar deri në vendin e 65-të, kështu që në javën e 12-të të hyrjes në listë, ajo arriti vendin e 52-të.
Katër javët në vijim rezultuan jo shumë të suksesshme për artisten, duke u ulur me shumë pozicione, deri në vendin e 96-të.
Por në javën e 17-të të hyrjes në klasifikim, Inis Neziri u rikthye në qendër të vëmendjes, duke u votuar pafund nga publiku dhe duke u shpallur kënga e ngjitur me më shumë pozicione e javës, me plotë 79 pozicione. Duket se për këtë supersukses të këngëtarës shkak është bërë pjesëmarrja e saj në konkursin “New Wave 2019” në Rusi, e cila është shpallur fituese, duke u përballur me 12 këngëtarë të tjerë nga e gjithë bota.
Fansat e Inisit kanë bërë të pamundurën që këngëtarja e tyre e preferuar të futet në 5-shen e artistëve më të votuar të javës edhe pse ka 18 javë që “E Theve” është pjesë e “The Top List”.