Rozana Radi vjen për herë të parë në klasifikimin e “The Top List” me një këngë të saj. “Vetes” ka hyrë së fundmi në listë dhe e sjell Rozanën në mesin e artistëve të Top Awards.

Rozana është një nga banoret që ka hyrë në reality show “Big Brother VIP 4” pak javë më parë. Artistja është futur në shtëpi duke performuar këngën e saj më të re, “Vetes”.

“Vetes” është një këngë që flet për forcën dhe vetëbesimin e Rozana Radi. Ajo përqendrohet në dashurinë për veten dhe inkurajon të tjerët që të jenë të fortë dhe të qëndrojnë besnikë ndaj vetes së tyre.

Në përfundim të performancës, Rozi është shprehur se e ka filluar jetën disa herë nga zero dhe Big Brother për të është një “0” që do të kapërcejë disa numra të jetës së saj.

Rozana Radi lindur më 6 korrik 1979 në Tiranë, është aktore, këngëtare dhe kantautore e njohur shqiptare. Ajo ka publikuar disa këngë të suksesshme, si dhe ka bashkëpunuar me disa artistë të njohur shqiptarë. Ajo tashmë ka krijuar stereotipin e saj, si një vajzë pa komplekse që nuk i intereson shumë se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët.

Ajo është aktore, këngëtare, kantautore dhe ka mijëra interesa për jetën. Mbi të gjitha i pëlqen të eksperimentojë. Rozana është bërë mjaft e dashur për të rinjtë, sidomos me këngën e saj hit, “Fol zemër, fol”. Dhe në fakt, është pikërisht zemra e saj ajo që ka folur përmes tekstit të kësaj kënge, ashtu siç ndodhi me këngët e tjera të kënduara prej saj. Rozana nisi të këndonte krejt rastësisht, e nxitur nga xhaxhai i saj, kantautori i njohur Françesk Radi, i cili kishte nevojë për një vajzë të re për të shoqëruar këngën “Mora mandolinën”.

Zëri i saj ishte i papërpunuar dhe i duhej shumë punë për t’u përshtatur në skenën e madhe. Por hap pas hapi Rozana arriti të shndërrohej në një këngëtare profesioniste, me një zë të veçantë dhe një interpretim me shumë klas. Megjithatë, Rozana thotë se kënga për të është vetëm një pasion, ndërsa aktrimi do të mbetet dashuria e madhe e jetës së saj.