Blla Blla Blla është një grup i cili ekziston prej 29 vitesh. Ai përbëhet nga 4 pjesëtarë, Idriz Ameti (vokal), Krenar Ismaili (vokal, violinë), Arsim Iljazi (bass), Egzon Leka (bateri). Ky grup, i cili i përket zhanrit të muzikës progresive, ka rreth dy javë që ka nxjerrë në treg projektin më të ri muzikor të titulluar “Kaloi”
Kjo këngë, e publikuar në fund të muajit mars, është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e 50-të. I kontaktuar nga “Top Awards”, vokalisti i grupit, Idriz Ameti, ka treguar se grupi ka përfunduar albumin e ri, i cili pritet të dalë në treg rreth muajit shtator ose tetor.
“Albumi, i cili është dërguar në Gjermani për t’u botuar, do të përmbajë 7 këngë dhe do të ketë shumë të ftuar. Kemi punuar prej 2 vitesh për këtë album dhe me një staf të ri, kështu që shpresojmë të sjellë një frymë të re muzikore”, tregon Idrizi.
Ndërkohë që ky është albumi i tyre i katërt, ky grup i cili e përkufizon zhanrin e tij muzikor me termin “Oversky Ballkanishe Reform”, regjistrojnë në karrierën e tyre muzikore 29-vjeçare shumë koncerte dhe turne.
I pyetur nëse ky projekt muzikor, mund të quhet një rikthim i Blla Blla Blla, në tregun muzikor, Idrizi përgjigjet: “Nuk mendojmë që kënga do të jetë një rikthim në tregun muzikor. Nuk kemi qënë asnjëherë në treg, kemi qënë të anashkaluar, ilegal, të çensuruar, të ndaluar. Kemi qënë të përzier, të sëmurë, kemi qënë “punk” dhe rebel, çdo gjë kemi qënë….”
Ndërsa sa i përket klipit, artisti tregon se më këtë video muzikore duan t’i tregojnë publikut që janë gjallë, funksionojnë dhe ata që asnjëherë nuk kanë dëgjuar për Blla Blla Blla, ky grup dëshiron t’i befasojë.