I ftuar pak ditë më parë në “Big Brother Radio” në Top Albania Radio, ka qenë Redon Berani. Ai ka prezantuar këngën e tij të re “Gocë nga Tirana”, si dhe ka komentuar disa nga ngjarjet më të bujshme të ndodhura së fundmi në shtëpinë e “Big Brother VIP 4”. 

Si erdhi “Gocë nga Tirana”?

Kemi marrë një sample të Ermal Fejzullahut që ka kënduar “Gocë nga Tirana”, që ka qenë hit atëherë dhe e ka shkruar babai im, Ilir Berani. Kënga është nostalgjike, kemi marrë një refren nostalgjik dhe e kemi kombinuar me një produksion modern që e ka bërë vëllai im. Kemi kombinuar zhanret, unë kam bërë pjesën time pak më moderne me një sample të vjetër. Një falënderim shumë i madh për Lekën që ka bërë një punë fantastike me spotin, e ka realizuar ashtu siç kam dashur. Kombinimi i gjithë këtyre, plus entuziazmi që do hyja apo jo brenda në “Big Brother VIP” për herë të dytë. Duhej realizuar klipi shumë shpejt, sepse nuk e dija a do hyja apo jo. Është projekt shumë simpatik dhe ka të bëjë me raportin që kam me Tiranën dhe eksperiencat që kam pasur. 

A u frymëzove për këtë këngë nga Egli që njohe në “Big Brother VIP”?

Po… Unë kam 80 ditë jashtë, kam udhëtuar, kënga është pjesë e krejt eksperiencave që kam pasur. Në shenjë solidariteti, sidomos në këtë moment, kjo këngë shkon për shoqen time më të mirë, Eglin, shërim të shpejtë!

Ti ke shumë këngë të publikuara, albume dhe klipe…

Unë realisht nuk jam reper, unë jam producent, inxhinier, bëj beat, këndoj, shkruaj për të tjerë tekste dhe vija melodike. Pra çfarë bëhet me muzikë nga A tek Zh. Kështu që jam tërë kohën i angazhuar me punën time e nuk ka më mirë se ta duash punën. Nuk e ndërroj me asgjë. Jam i kënaqur shumë ku jam deri tani, por për ata që më ndjekin e që i pëlqen muzika, akoma nuk kanë parë asgjë.

Çfarë planesh të ardhshme ke?

Kam një këngë të re për club-e, por jo gjatë këtij muaji, muajin tjetër besoj. Këngë më energjike, për të kërcyer.