Redon Berani vjen sërish për publikun me një projekt të ri muzikor. Këngëtari ka publikuar albumin e tij të pestë, të titulluar “Ngjyra Vere”, një punë që përfshin gjithsej 14 këngë.
Ky album sjell një përzierje tingujsh dhe emocionesh që pasqyrojnë stilin e njohur të Redonit, por edhe një qasje më të pjekur artistike. Në “Ngjyra Vere”, ai eksploron tema të ndryshme, nga dashuria dhe kujtimet, deri te momentet personale që lidhen me përjetimet e tij.
Ajo që bie në sy është diversiteti i këngëve. “Ngjyra Vere” duket si një projekt i menduar mirë, që synon të lidhet me dëgjuesin në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Me 14 këngë në repertor, fansat kanë mundësi të zbulojnë anë të ndryshme të artistit dhe të gjejnë diçka që i përshtatet shijes së tyre. Vetë Redoni e ka përshkruar këtë album me fjalët:
“NGJYRA VERE”! Albumi im i 5-të… 14 këngë me video visualizers, 14 momente që nuk shpjegohen lehtë, veç ndjehen. Nuk është veçc muzikë, është vibe… netë të gjata, mendime të heshtura, fitore edhe humbje bashkë.
Pikërisht tre nga këto këngë, i shtohen klasifikimit të javës të “The Top List”. Bëhet fjalë për “Aha”, “Bandite”, si dhe bashkëpunimin me Marin, “Dashni”.