Festivali i RTSH-së është festivali më i vjetër i muzikës së lehtë shqiptare, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 58-të. Ndër vite, në këtë festival kanë marrë pjesë mjaft e emra të rëndësishme për muzikën shqiptare si Vaçe Zela, Avni Mula, Gaqo Çako, Ema Qazimi, Tonin Tërshana, Ferdinand Deda, Agim Krajka, Pjetër Gaci, Tish Daija dhe shumë të tjerë.

Prej vitit 2004, kënga fituese e festivalit të RTSH-së, do të prezantonte për herë të parë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, traditë e cila vijon dhe sot.

Por çfarë po ndodh me Festivalin e RTSH-së dhe pse gjithë kjo zhurmë?

Këtë vit, për herë të parë, regjisore e këtij festivali është Vera Grabocka ndërsa do drejtohet nga Alketa Vejsiu. Vetëm pak ditë më parë, është bërë publike lista e pjesëmarrësve të festivalit, e cila është përzgjedhur nga Juria e Festivalit, e drejtuar nga muzikanti i njohur Zhani Ciko. Në listën e këngëtarëve, bien në sy emra të njohur të muzikës, të vjetër dhe të rinj, fituesi i së cilës do përballojë sfidën e Eurovizion-it. Një surprizë e këtij festivali është konsideruar Elvana Gjata, e cila merr pjesë për herë të parë.

Pse çdo vit festivali i RTSH-së shoqërohet me debate, akuza dhe skandale?

Publikimi i listës është shoqëruar me një farë akuzash, debate dhe polemika. Ajo çfarë është konsideruar skandal edhe këtë vit është përcaktimi i fituesit ende pa nisur festivali dhe është pikërisht Elvana Gjata, emri i lakuar si fituese e edicionit të 58-të të këngës.

Në median e shkruar qarkullon prononcimi i një gazetari në RTSH, i cili shpjegon se ai dhe një numër i caktuar punonjësish kanë listën e saktë të fituesve dhe renditjen përfundmitare të artistëve që do të këndojnë, duke theksuar se fituese do të jetë Elvana Gjata.

Një tjetër skandal në të cilin është përfshirë Festivali i RTSH është një prononcim i kompozitores Diana Ziu dhe aktorit Vangjel Toce. Dyshja e njohur i ka drejtuar një letër të hapur regjisores Vera Grabocka dhe muzikantit Zhani Ciko, pasi këta të fundit nuk kanë pranuar produksionin e krijuar nga ajo. Në letrën e saj, Diana shkruan ndër të tjera se gjithçka është caktuar, fituesi i festivalit dhe ata artistë që do marrin çmime, pavarësisht se disa projekte ende nuk janë dorëzuar. Ajo gjithashtu thekson se fituese do të jetë Elvana dhe këto fjalë kanë ndalë nga vetë punonjësit e saj.

Përpos gjithë kësaj zhurme të krijuar, ne shpresojmë që këtë vit në Eurosong të kemi një këngë dhe një artist/e që na përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme.