Një tjetër projekt i shumëpritur është konsideruar projekti më i ri i Era Istrefit. Artistja shqiptare ka bashkuar fuqitë me artistët me famë botërore Dimitri Vegas dhe Like Mike.
“Selfish” titullohet ky projekt muzikor, i cili është bërë pjesë e klasifikimit këtë javë, duke zënë vendin e 51-të. Kjo këngë në fakt është “remake” i këngës së dyshes, të cilës i është shtuar vokali i artistes shqiptare me famë botërore.
Ndërkohë që ka patur mjaft komente pozitive, nga ana tjetër kjo këngë është përballur me shumë kritika. Disa prej fansave të saj, shkruajnë nëpër rrjetet sociale se Era Istrefi e ka humbur stilin e veçantë që e karakterizonte, duke u bërë si të gjitha artistet e tjera. Shumë fansa fajsojnë se shkaku i ndryshimit të Erës është keqmenaxhimi. Kujtojmë se Istrefi është nën menaxhimin e “Sony Music” që prej vitit 2016-të.
Në fakt këto pretendime, fansat i vërtetojnë dhe me votat e tyre në klasifikimin e “The Top List”. Edhe pse “Bonbon” është publikuar prej vitit 2016-të, duke kaluar tre vjet, ajo vazhdon të dëgjohet dhe votohet pafund nga fansat, ku për këtë javë mban vendin e 86-të.
Era nga ana tjetër duket se po përgatitet për një bashkëpunim me motrën e saj, Nora Istrefi, të paktën këto janë lajmet që qarkullojnë së fundmi. Derimë tani nuk kemi një reagim nga ana e dy artisteve për këtë thashethem.