Një javë e ngarkuar dhe plot me projekte të reja muzikore ishte kjo në të cilën kemi hyrë. Kjo është një nga javët me më shumë hyrje të reja për vitin 2024.
Le të themi që artistët paskan rënë në një mendje për të publikuar këngët e tyre. Disa nga këngëtarët më në zë të momentit janë në një garë shumë të fortë me njëri-tjetrin.
Teksa ndoshta jemi mësuar që stina e verës të jetë e mbushur me projekte, këto javët e fundit në fakt jemi surprizuar. Kjo pranverë duket sikur i ka frymëzuar artistët tanë të cilët na kanë argëtuar me këngë të zhanreve të ndyshme.
Këtë herë kemi plot 7 projekte të reja që i shtohen klasifikimit të “The Top List”. Ja se për cilat projekte bëhet fjalë…
Disa bashkëpunime mjaft interesante janë bërë pjesë e listës për këtë javë. Soni Malaj dhe Dara kanë sjellë së bashku projektin “E Para e Rralla”. Lluni dhe ELINEL kanë bashkuar forcat për një super projekt mjaft ritmik në rrymën rap, titulluar “Rap Chat Gpt”. Nga ana tjetër, Dardan dhe Azet kanë vendosur të sjellin projektin “Pa mu” për të nisur sezonin e ri veror plot energji.
Alban Skënderaj pas suksesit me “Pranvera”, ka sjellë “La La La” një këngë perfekte për çelur këtë sezon të ri dhe për të shijuar verën. Kejsi Tola vjen me një dedikim mjaft të bukur për ndjenjat në projektin e ri, titulluar “Për Ty”. Kelly vjen këtë javë me një këngë të re, e cila sërish i dedikohet ndjenjave që ka për personin e tij të zemrën dhe titullhet “Hello”. Nga ana tjetër, 2Ton vjen me një super këngë ritmike, “Kaniher”, e cila i dedikohet një dashurie të lënë përgjysmë dhe tradhëtisë.