E ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë një nga këngëtaret më të reja të tregut muzikor shqiptar, Vivian Biagioni. Ajo e ka nisur karrierën e saj që herët, teksa ka qenë konkurrente në “Voice Kids”, e tashmë ka publikuar projektin e saj të parë, “As unë as ti” që ka hyrë së fundmi në klasifikimin e “The Top List”. Vivian na ka folur më shumë për këtë këngë por jo vetëm…
Si e prite mbështetjen e publikut pas publikimit të kësaj kënge?
Ishte shumë e papritur. Dua të falënderoj të gjithë dëgjuesit që e kanë pëlqyer. Kam shumë tekste që shkruaj, por që në të ardhmen shpresoj që t’i publikoj. Shkruaj për histori që mund t’i ndodhin të gjithëve.
Vivian tregoi se si mori dhe një bursë nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley në SHBA:
Mora një bursë nga Berkeley, por ra COVID-19. Ishte vetëm në Amerikë kjo degë që doja unë dhe nuk mund të shkoja dot sepse ishte shumë kaos, kështu që vendosa të rri në Shqipëri.
Por si u gjende mes artit dhe degës së mjekësisë për të cilën po studion?
Ka qenë një nga zgjedhjet më të vështira në jetë deri tani, të vazhdoja artin dhe një profesion tjetër më duhej patjetër. Zgjodha mjekësinë. Nuk kam qenë studente ekselente, sepse duke u marrë me angazhime të tjera nuk kam pasur kohë, jam më shumë tek nota 9 apo 8.
Si kanë ndikuar tek ti aktivitetet e shumta artistike në të cilat ke marrë pjesë?
Më kanë formuar shumë artistikisht dhe emocionalisht. Edhe kur s’kam fituar kam vazhduar të këndoj. Kur ka lidhje me egon mund edhe të stepesh, puna është që t’i kalosh.
Nga ana tjetër, ti ke pasur eksperienca edhe në projekte filmike. Si ka qenë kjo për ty?
Filmi është shumë i bukur, krijon një famlilje me të gjithë sepse je gjithë kohën aty. Është xhiruar këtu në Gjadër të Lezhës. Ka qenë e vështirë të hyje në rol, por aktorët na kanë ndihmuar shumë sepse e kishin përjetuar vizualisht çdo gjë. Ishin prindërit që më shtynë drejt kësaj eksperience, pastaj bëra audicion, roli m’u përshtat dhe u përzgjodha.
Kush këndon tjetër në familjen tënde?
Mami ka vesh muzike, por jo ndonjë talent të madh.