Të ftuar në pjesën e parë të emisionit “Pardon My French” ditën e sotme kanë qenë çifti fitues i edicionit të dytë të “Dancing With The Stars” Enxhi Nasufi dhe Silvester Shuta. Të dy kanë zbuluar më shumë detaje nga eksperienca e tyre në spektaklin e kërcimit dhe jo vetëm kaq.

Si ka qenë situata pas përfundimit të DWTS, si i kanë pritur komentet e njerëzve?

Silvester: Në rrugë kur ecim na ndalojnë njerëz, na tregojnë se kanë votuar për ne. Na thonë:”Na keni pëlqyer, bravo! Shyqyr që e morët sepse ju e meritonit.”

Enxhi: Nga ana emocionale super, njerëzit na ndalojnë, na takojnë, na kanë shkruar. Komentet në tërësi kanë qenë shumë pozitive dhe mbi të gjitha mendoj që fitorja dhe kënaqësia më e madhe është kur ti lexon që njerëzit thonë “Fitore e merituar”. Tani ne do të besojmë prapë tek kjo gjë dhe do të shpresojmë që përsëri ta marrë një person që realisht e meriton dhe njerëzit e pëlqejnë. Nëse flasim nga ana fizike, të them të drejtën ditët e para pas “Dancing With The Stars” një tmerr. Na ka mbajtur gjatë gjithë kohës adrenalina, provat në sallë, emocionet. Edhe pse lodheshe kishe prapë prova të tjera dhe do të vazhdoje sepse trurin e ke përgatitur për atë gjë. Kur të bie trupi në qetësi të kërcet çdo gjë. 

Duke qenë se spektakli i kërcimit mbaroi tani dhe Enxhi u shpreh se do të fokusohet shumë edhe tek muzika dhe do të sjellë projekte të reja a ka krijuar ajo një listë qëllimesh që i ka vendosur vetes me një  ‘deadline’ apo jo?

Enxhi: Ideja është që nuk para vë ‘deadline’ sepse e di që edhe nëse kalohen nuk dua që të ndihem keq me veten dhe t’i vë presion vetes. Por gjithsesi nuk dua që të largohet shumë kjo pas “Dancing With The Stars” dua që të punoj tani shumë shpejt. Ajo çfarë unë kam qejf është që të bëj një mini album do të ishte një gjë shumë e bukur. Unë e di se cila rryma më rrinë më mirë. Mund të eksperimetoj, mund të bëj edhe një baladë sepse kam kohë që nuk bëj balada. E kam idenë në kokën time thjesht duhet t’i shtroj dhe t’i punoj.