Ariana apo ndryshe siç njihet me emrin e saj të artit, Ari Blue, ka lindur në vitin 1994. E re dhe shumë entuziaste në punën e saj si këngëtare, Ariana Plakiqi ose ndryshe Ari Blue jeton në Gjermani, por karrierën muzikore e ka nisur në Kosovë.

Ariana ka qenë një ndër banoret e këtij edicioni të ”Big Brother VIP Albania”. Ajo hyri brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri duke nisur rrugëtimin e saj më 24 Dhjetor 2022.

Ari bëri një prezantim të vetes duke kënduar gjithashtu ”Lovely” të Billie Eilish. Edhe pse rrugëtimi i saj nuk zgjati shumë, këngëtarja arriti të transmetonte denjësisht veten e saj dhe natyrën mjaft ’funny’ që ka, ku sigurisht këndimi zinte një pjesë të madhe të kohës së saj aty brenda.

Pasioni i saj për muzikën ka nisur kur ajo ishte ende në një moshë fare të re. Talentin e ka të trashëguar nga mamaja e saj, e cila më herët këndonte dhe ishte aktive me koncerte, bënte këngë popullore, videoklipe, etj.

Mamaja me zërin dhe pamjen e saj, bëri që Ari të dashurohej dhe më shumë pas muzikës. Dhe këtu lindi gjithçka në karrierën e saj.

Deri më tani ka realizuar disa projekte që kanë rezultuar të suksesshme. Në vitin 2015, Ari publikon projektin “M’kujton”, me të cilin merr pjesë në “Zhurma Show 2015”. 

Në po atë vit, ajo sjell “Hajde Ma Ngat”. Një vit më vonë publikon projektin “A Jena A Sjena”, me të cilin merr pjesë në “Zhurma Show 2016”. Në vitin 2017, artistja sjell këngën “So Problem”. 

Më pas vjen “Adrenalina” dhe “Liar”, këngë e cila hyri dhe në klasifikimin e “The Top List” në vitin 2018. “Ti” është projekti që e risjell atë më fuqishëm se kurrë në Top Awards.