I ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë artisti Bennito, për të folur më shumë mbi karrierën e tij në muzikë si dhe për të ndarë disa detaje nga albumi i ri…

Si nisi karriera jote?

Thjesht bëra një këngë për qejf, nuk e kisha si plan të hyja në muzikë. Ne kishim një studio si shoqëri dhe rastësisht isha aty me shokët e mi dhe u thashë më bëni një ‘beat’, shkruajta diçka për jetën e vallëzimit, kërcimit. Doli bukur dhe thashë po i bëj videoklipin dhe hapa një kanal timin në YouTube. Pastaj pasi kisha shumë kontakte me Stine, Soni Malaj, Adelina Ismajli, me gjithë këta, sepse unë isha gjithnjë prezent me kërcimin në festivale në Shqipëri e Kosovë, hyra në bashkëpunime me Stine, Soni Malaj, Big Basta.

Ai duket muzika sot, me atë dikur?

Unë jam rritur me kulturën e Hip-Hop, dëgjoj çdo muzikë të mundshme që është e mirë, nuk ka lidhje zhanri. Por ajo që kam qejf unë të krijoj, është e pamundur në trojet shqiptare. Është ndoshta një pjesë shumë e vogël që e kanë qejf, sepse unë them që të bësh Hip-Hop të vërtetë është shumë e vështirë, si të hedhësh lekë kot, investim kot, sepse masa nuk e dëgjon. Janë disa grupe që dëgjojnë Hip-Hop të vërtetë, por tashmë duhet t’i përshtatesh kohës, të ecësh me kohën. Duhet të jemi bashkë me kohën, sido që të jetë zhanri. Se ndryshe ti e bën muzikën për qejfin tënd, por nëse nuk e dëgjoj askush, çfarë ke bërë?

Çfarë mund të thuash për albumin e ri?

Ka qenë ëndrra ime që kur hyra në muzikë që të krijoja albumin. Albumin e kam titulluar “N’kohë”, që do të thotë koha kur unë jam plot me energji, jam në atë pjesën e karrierës që nuk dal nga shinat dhe jam shunë i vetëdijshëm se çfarë dua, prandaj i kam vënë këtë titull, pra që vjen me kohën. Kam 15 këngë dhe kam disa bashkëpunëtorë shumë të mirë, si Lyrical Son, Soni Malaj, Stine, Mihrije Braha, Big Basta dhe jemi në bashkëpunime me DJ Blunt dhe Real 1 dhe Mc Kreshën.