I ftuar këtë javë në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë artisti i njohur Ardit Çuni, i cili ka zbuluar më shumë detaje nga jeta dhe karriera e tij po ashtu është ndalur më konkretisht tek profesioni i tij në ‘digital marketing’. Një pjesë të cilën ai nuk është se e ka përmendur shpesh por që ka më shumë se 12 vite që merret.
Unë kam preferuar që gjithmonë në karrierën time të bëj gjëra pak dhe saktë dhe me kualitet. Nuk jam shumë pro sasisë. Me një eksperiencë 12-13 vjeçare në digital marketing e kam përmendur shumë pak sepse normalisht nuk kam dashur që ta lidh imazhin tim artistik me atë profesional. Njerëzit afër meje e dinë që unë prej vitesh e bëj këtë punë. Menaxhoj dhe ndërtoj ‘brand’-e nga fillimi.
Ndër të tjera Ardit Çuni shtoi se:
Sot menaxhoj kompaninë time sa i përket digital marketing. Është diçka që e bëj me shumë qejf duke qenë se e dimë se pjesa artistike në Shqipëri nuk është se është dhe aq voluminoze. Shkon në studio bën këngët dhe pastaj ke të gjithë javën bosh dhe unë preferoj shumë që të punoj dhe ta kem të mbushur ditën time me punë dhe aktivitete.