Diona Fona është një tjetër këngëtare e re në tregun muzikor shqiptar, e cila duket se është në rrugën e duhur. Që me publikimin e projektit të saj të parë muzikor, Diona është futur në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, në “The Top List”.
E lindur dhe rritur në Londër, Diona që në moshë të re ka filluar shkollën dramës, këndimit dhe vallëzimit. Përveç artit, këngëtarja ka treguar se pasioni i saj është futbolli, me të cilin ia ka dalë të merret dhe ta shijojë këtë lloj sporti.
Diona, e cila aktualisht studion në fakultet për Artet Performuese, ka dhënë një intervistë për “Top Awards”, ku ka folur më shumë për veten.
TA: Sa kohë keni që merreni me muzikë?
Diona: Muzika më ka ndjekur që nga hapat e parë të jetës. Fillova para dy viteve me inçizimin e disa “cover-ave” nga artistë të njohur sa për ta parë se si do të pritem nga publiku. Nuk doja të futem në këtë industri pa pasur idenë se sa ju pëlqen zëri im publikut. Mendoj se një artist mund të promovojë zërin edhe me këngë nga artistë të njohur dhe është një rrugë e mirë për ta bërë publikun për vete por edhe për ta zbuluar veten si këngëtar. Ka shumë rëndësi përzgjedhja që bëjmë e zhanrit si dhe e stilit me të cilin do të prezantohemi para publikut.
TA: “Havera” është projekti i juaj i parë muzikor?
Diona: Dhe ja këtë vit erdhi edhe projekti im i parë “Havera”, realizimin e të cilit e prita me padurim por edhe me shumë frikë dhe ndrojtje se si do të pritesha prej publikut. Ta dini se kemi patur shumë dilema rreth asaj se si të shkruhej teksti në gjuhen shqipe apo angleze, se si do të realizohej spoti si do të jetë paraqitja ime dhe një milionë ide të tjera që më silleshin në kokë me realizimin e këtij projekti.
TA: Si lindi ideja për këtë këngë?
Diona: Meqë mbusha 18-vjeç une doja të isha pjesë e muzikës dhe të prezantohesha me një projekt timin. Edhe pse si një këngëtare në fillim të karrierës që jam, unë kam një rrugëtim të gjatë për të zbuluar shumë nga ajo që dua të bëj në muzikë dhe kjo këngë, e cila lindi si projekti i parë, do të jetë udhërrëfyesi për punët e metejshme.
TA: Për cfarë flet kënga? Kush është kujdesur për muzikës, tekstin dhe klipin? Ku është xhiruar ai?
Diona: Në këngë përfshihen relacionet dashurore të cilat i kanë sot të rinjtë. Meqënëse unë kam qënë e afërt shumë me shtëpinë e produksionit “REDBOX” që nga fillimi i realizimit të “cover-ave”, pak a shumë e dija që idenë e këngës sime të parë do ta realizonte Arbri i “REDBOX”. Ai më njihte stilin pak a shumë dhe në momentin që më ftoi dhe më tha që Diona a je e gatshme se kam një projekt për ty, e dija që nuk do të jetë diçka që do ta refuzoja. Dhe erdha nga Londra për të përgatitur projektin dhe për të realizuar “Haverat”…
Tekstin e shkruam bashkë me GJIKON. Jemi munduar që me këtë këngë të joshim po edhe të përfitojmë publikun me një tekst shumë të thjeshtë e të pranueshëm për rininë sot e që përcillet me një ritëm shumë të ëmbël mendoj une. Pas realizimit të këngës vendosa që klipin ta realizoja në Prishtinë meqë për mua është vendi ku kam familjen dhe rrënjët e mia dhe me Valon Azirin punuam rreth idesë dhe realizimit të këtij klipi. Vetëm ideja që po bëja një projekit në vendim tim si dhe përkrahja e shumë njerëzve përreth më bënte të ndihesha e madhe në kuptimin njerëzor.
TA: Jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List”, si ndiheni për këtë?
Diona: I gjithë rrugëtimi i këtij projekti ka qënë prej fillimit me shumë befasi të mira. Nuk e pata idenë se do të mirëpritësha ka mirë nga publiku e aq më shumë që të bëhesha pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Më bën të ndihem aq mirë dhe e afërt me publikun por në të njëjtën kohë më bën ta di se kam përgjegjësi ndaj publikut që më mirëpriti.
TA: Do keni projekte të reja për këtë verë?
Diona: Po presim që gjatë muajit Korrik të prezantoj projektin e dytë, i cili do të jetë edhe një hap tjetër për mua drejt muzikës dhe njohjes sime me njerëzit që do të më përcjellin.
TA: Një premtim për fansat që ta kanë votuar?
Diona: E ndjej që tani afërsinë me ta, shpresoj asnjëherë mos t’i zhgënjej sepse çdo sukses i imi nuk mund të realizohet pa përkrahjen e tyre. Familja na mbron nga afër ndërsa fansat na mbështesin dhe na hapin dyert të bëhemi ata që duam.