Viti 2024 ka nisur me një sërë këngësh të fundit nga artistët që kanë hyrë në klasifikimin javor të “The Top List”. Në ndryshim nga java e kaluar ku kishim vetëm 3 hyrje të reja në listë, këtë herë i jemi rikthyer sërish trendit që na karakterizuar prej disa javësh tanimë, me plot 10 projekte të reja muzikore. Ja se për cilët bëhet fjalë…
Artistët shqiptarë, Dafina Zeqiri dhe Yll Limani, kanë publikuar projektin e tyre të fundit. “Jom ka du me t’pa” është kënga që i bëri bashkë dyshen në një duet të ri. Nuk është hera e parë që dy yjet e muzikës shqiptare janë bashkuar në muzikë. Ata kanë sjellë edhe më parë dy hitet “Mos shko” dhe “Ka je”.
Këngëtari i njohur Capital T ka publikuar projektin e tij më të ri “Albania” që i dedikohet Kombëtares së Shqipërisë në finalet e Euro2024. Artisti ka bërë një interpretim interesant, me klip të veçantë, duke përfshirë pak nga të gjitha karakteristikat e Shqipërisë.
Filloreta Raçi e njohur me emrin artistik, Fifi ka publikuar pesë këngë në bashkëpunim me Young Zerkën. Këngët që vijnë në listën e kësaj jave janë “Sajzezo” dhe “Fotografi”, ku secila prej tyre është më ‘flakë’ se tjetra.
Majk nga ana tjetër ka qenë mjaft aktiv në muzikë kohët e fundit. Këtë herë ai ka ardhur në një tjetër projekt solo që mban titullin “Temelin”. E duke qëndruar tek projektet solo, këtu përmendim dhe Diona Fonën me “S’ka mo lot”.
Grupi i rock-ut Rool, pas këngës së parë së bashku, publikojnë albumin e tyre të parë. Kënga “Nothing But a Dream” i bashkohet listës së kësaj jave. Ronela Hajati në bashkëpunim me EngliVersal dhe SuperCrax kanë sjellë “TEKeTEK”, një këngë tipike verore, që na rikthen tek ‘Ronela e dikurshme’.
Ermal Fejzullahu dhe Liri Tahiri kanë bashkuar forcat për të sjellë hitin “Loqka”. Mak Zogaj nga ana tjetër pas bashkëpunimit me Gjikon, vjen në listë me “Flaka Flaka”.