Artisti Alban Skënderaj ka goditur sërish me projektin e tij më të ri muzikor, i cili që në titull paraqet një epitet “Mbret pa kurorë” duke nënkuptuar se personat  që kanë kontroll ose janë të fuqishëm, e shpallin veten si mbretër ndërkohë që nuk janë të tillë. Sarkazmë therëse për një të vërtetë të hidhur.

Muzika, zëri, interpretimi dhe teksti i gjetur, godasin fort dhe drejtpërdrejt duke e vënë gishtin në një plagë, të cilën nuk e shëruan as shekujt. E gjithë kënga është një reflektim i thellë modeluar me art që të lë shënjë në shpirt.

Shpërthimi i tij ndërthur temat sociale që janë akoma mbizotëruese edhe sot e kësaj dite siç mund të jenë vrasjet, korrupsioni, përdorimi i ligjeve të Kanunit së bashku me fasadën që shfaqet duke thënë se çdo gjë është në rregull. Kjo përmendet në rreshtin: “qajmë në shpirt por e shenjtë është fasada”.

Gjithashtu shtohet fakti se rëndësi të madhe ka marrë paraqitja e jashtme ku të gjithë synojnë të veshin marka të shtrenjta vetëm për tu dukur, ndërkohë që gjendja ekonomike është aq e ulët dhe shpëtimi po gjendet vetëm tek dyert e ambasadave, pra emigracioni. “Mbretër pa kurorë” renditet në vend të dytë për këtë javë.